Shqipëria U-17 do të debutojë nesër në ndeshjet finale të Kampionatit Europian “Shqipëri 2025” që do të zhvillohet në vendin tonë. Kuqezinjtë e vegjël do të luajnë ndeshjen e parë të grupit A kundër Portugalisë në stadiumin “Arena Kombëtare” në ora 18:00.
Në prag të kësaj sfide historike për Kombëtaren shqiptare U-17, trajneri Andrea Tedesco doli në një konferencë për media ditën e sotme dhe foli për objektivat e Shqipërisë në këto finale. Ndër të tjera, trajneri Tedesco foli për emocionet e zhvillimit të kampionatit në Shqipëri, kundërshtarët, si edhe grupin e lojtarëve të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë fazë finale.
Tekniku Italian nënvizoi se pjesëmarrja e Shqipërisë U-17 në finalet e këtij Europiani është një mundësi e madhe për skuadrën dhe futbollin shqiptar. Ai shprehu besimin se ekipi mund të sfidojë çdo kundërshtar të fortë, duke kërkuar të shfrytëzojë maksimalisht këtë eksperiencë historike.
Objektivi në Europian? – Fillimisht dua të them që jam shumë i lumtur që ekipi ynë është pjesë e finaleve të Europianit. Uroj që të jetë një eksperiencë e mirë për gjithë skuadrën, stafin dhe Federatën. Është hera e parë që ne jemi në finalet e një kompeticioni kaq të rëndësishëm. Objektivi ynë primar është që t’i japim kënaqësi tifozëve, atyre që do të na mbështesin dhe ndjekin. Gjithashtu, është e rëndësishme që të kemi një mjedis të mirë brenda skuadrës dhe, nga aspekti teknik, ajo që unë kërkoj është një lloj rritjeje e nivelit, njësoj si performancat e mira që kemi pasur nga shtatori deri në mars. Të kemi momente specifike brenda ndeshjes që tregojnë rritjen e ekipit. Ne kemi punuar shumë mirë dhe kemi pasur performanca të mira.
Europiani për herë të parë në Shqipëri? – Patjetër që jemi të lumtur që ky event organizohet në Shqipëri. Është një mundësi e jashtëzakonshme. Prej një kohe të gjatë po punojmë si në aspektin organizativ, ashtu edhe me lojtarët. Futbolli është i tillë; kur të jepet një mundësi e tillë, duhet ta jetosh. Ne jemi krenarë që jemi pjesë e kësaj eksperience.
Sigurisht që kemi kundërshtarë të vështirë, përfshirë Portugalinë, që e ka fituar gjashtë herë Kampionatin Europian U-17 dhe ka një ekip shumë të mirë. Ne jemi gati dhe do të mundohemi të luajmë sa më mirë, ndërsa forcën tonë duhet ta tregojmë në fushë. Me lojtarët e rinj ke mundësi të krijosh surpriza, si për mirë, ashtu edhe për keq. Në futbollin e të rinjve nuk ka rëndësi rezultati; ajo që ka rëndësi është performanca dhe rritja e skuadrës. Ne synojmë të kemi paraqitje shumë të mira.
Kundërshtarët e Shqipërisë? – Ne po mundohemi të mbështesim dhe të punojmë me lojtarët si në aspektin emocional, ashtu edhe në atë tekniko-taktik, që ata të përballen sa më mirë me kundërshtarët. Nuk mund të pranojmë rolin e “viktimës” gjatë ndeshjes; do të tentojmë të luajmë futbollin që dimë. Një ndeshje përfshin shumë elementë: emocionalë, psikologjikë, teknikë dhe taktikë. Jemi të ndryshëm emocionalisht, por nesër do të shohim çfarë do të ndodhë, sigurisht duke u ndikuar edhe nga mjedisi, fusha, stadiumi dhe momentet e rëndësishme të lojës. Do të mundohemi të japim më të mirën, por në futboll janë edhe momentet specifike të ndeshjes; jam shumë kurioz nesër të shoh si do t’i menaxhojnë djemtë. Ky është një proces i ri për të gjithë ne dhe do të shohim çfarë do të ndodhë. Gjithsesi, unë do të jem shumë krenar për lojtarët e mi.
Kundërshtarët e grupit? – Nëse do të isha shqetësuar, nuk do ta kisha pranuar këtë mundësi që më është dhënë për të qenë trajneri i Shqipërisë. Në momentin që arbitri nis ndeshjen, është e gjitha futboll, si kur luan në rrugë, në plazh apo në stadium. Kjo është puna jonë, e imja fillimisht dhe e stafit teknik me të cilin kemi punuar këto kohë. Për lojtarët është një ëndërr që e kanë imagjinuar që të vegjël. Unë mezi pres ndeshjen e parë për të parë se si do të shkojë. Nëse do t’i referohemi renditjes së UEFA-s, Shqipëria është në vendin e 66-të, ndërsa Portugalia në të shtatin. Ne do ta harrojmë këtë pjesë dhe do të mundohemi të japim më të mirën për të gjetur një lloj ekuilibri. Do të shikojmë se si do të shkojë.
Keni folur me Silvinjon dhe a keni marrë ndonjë këshillë nga ai për Europianin? – Patjetër që kemi bashkëpunim me Silvinjon. Shihemi dhe flasim çdo ditë për futboll në zyrat e FSHF. Dy javët e fundit kemi diskutuar shumë në lidhje me Europianin. Së fundmi më ka dhënë disa sugjerime të mira. Kam vazhdimisht kontakte me të dhe raport personal.
Pse nuk ka lojtarë të ftuar nga kampionati shqiptar – Politika e FSHF-së është shumë e qartë. Janë bërë shumë investime, sa i përket stadiumeve, fushave, kurseve, duke sjellë dhe lektorë të huaj të cilët japin mësime për ata që po trajnohen në kuadër të përmirësimit të futbollit vendas. Kur e kam marrë ftesën për të qenë si pjesë e FSHF-së si trajner i U-17 dhe jo si menaxher i saj, jam ftuar për të trajnuar skuadrën. Ne jemi një komision, që përbëhet nga Drejtori Teknik, Shefi i Skautizmit dhe unë, që bëjmë përzgjedhjen për të gjetur lojtarët më të mirë të mundshëm. Nga shtatori deri më tani kemi parë shumë lojtarë, kemi pasur edhe projektin “Step by Step” nga ku kanë dalë shumë lojtarë të cilët i kemi provuar edhe në ndeshje miqësore, apo gjatë periudhës së ndeshjeve ndërkombëtare. Por pjesë të listës mund të bënim vetëm 20 lojtarë, me dëshirën tonë do të kishim 23 lojtarë. Të gjithë kemi preferencat tona, mua mund të më pëlqejë një lojtar, dikujt tjetër një lojtar tjetër. Por jo gjithmonë këto preferenca të plotësohen në raste të tilla. Jemi munduar të zgjedhim më të mirët. Dhe nga ky moment, për mua këto 20 lojtarë janë lojtarët më të mirë në botë. Unë do të mundohem t’i përgatis në kushte sa më të mira në mënyrë që të përfaqësojnë sa më mirë Shqipërinë.
Si do të luajë Shqipëria në Europian? – Në futbollin modern ajo që ka rëndësi janë duelet, dhe kush fiton duelet, fiton në fushë. Që lojtarët të rriten, është një filozofi që nuk e ka vetëm ekipi kombëtar, por edhe klubet dhe akademitë. Që lojtarët të përparojnë, duhet të kenë sfida, siç është tani Euro U-17. Duhet t’i provosh në momente të ndryshme. Nëse lojtarët duhet të jenë gati në të ardhmen për ekipin e parë, duhet t’u japësh mundësinë t’i testosh. Mund të dështosh, por duhet të rifillosh edhe njëherë nga e para. Forca jonë e madhe duhet të jetë grupi, së bashku me dashurinë për futbollin, kjo ka një rëndësi të veçantë. Nuk jemi të fokusuar te cilësitë individuale, sepse ajo që ka rëndësi është si punon për ekipin. Mund të jesh shumë i mirë “një kundër një”, por më shumë rëndësi ka të jesh lojtar ekipi, dhe kjo është ajo që dua të shoh. Kundërshtarët në letër janë më të fortë se ne, por nëse mendojmë kështu, do ta kemi humbur Kampionatin që tani. Ne duhet të menaxhojmë momentet dhe të bëjmë më të mirën kur të na jepet mundësia.
Ju motivon prania e tifozëve shqiptarë nesër në stadium? – Do të jenë rreth 10 mijë tifozë nesër në stadium dhe dua t’i falënderoj duke nisur nga familjarët, grupet e tifozëve që do të jenë. Shpresoj të arrijmë t’i kënaqim. Për lojtarët do të jetë pak shok në fillim, por kur fillon ndeshja, nuk e mendon më se çfarë ndodh për rreth. Uroj të bëjmë një ndeshje të mirë dhe tifozët të na mbështesin. Është shtëpia jonë, është vendi ynë, do të bëjmë më të mirën që të përfaqësojmë sa më mirë Shqipërinë.