Më pak se 48 orë na ndajnë nga ndeshja e parë e Shqipërisë në Kampionatin Europian. Kuqezinjtë do të ndeshen me Italinë mbrëmjen e së shtunës, duke nisur nga ora 21:00. Emocionet kanë nisur të ndihen në ajër te tifozët e ekipit tonë kombëtar. Këtu nuk bën përjashtim as Armand Duka, i cili ka thënë për “TV Klan” se po ndjen ethe emocionesh si kurrë më parë në jetën e tij.
“Deri dje nuk kam pasur shumë emocione. Por tani ka filluar të më hyjnë ethet. Emocionet nuk i kam për fillimin e Europianit. Emocionet e mia janë për fillimin e ekipit tonë kombëtar, për ndeshjen e parë kundër Italisë. Më duket më shumë përgjegjësi se sa në 2016-n. Ka më shumë presion.
Tashmë kemi kundërshtarë shumë më të fortë. Italia është kampion Europe, me shumë histori. Por ne do të bëjmë tonën. Nuk kemi ardhur thjesht për të luajtur, por kemi ardhur për të fituar. Pse jo, të qendrojmë sa më gjatë në Gjermani.
Kam vërtetë shumë ethe, shumë emocione. Rrallë herë nuk fle. Mbrëmë nuk kam fjetur. E kam thënë në disa intervista në Itali që uroj që ta fitojmë ndeshjen me Italinë dhe uroj që të dy ta kalojmë grupin. Por për 90 minuta do të jem kundër Italisë”, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/