Alban Hoxha ishte i ftuari i parë në podkastin e parë të klubit të Partizanit. Portieri i të kuqve ka ndarë me dëgjuesit disa nga çastet më shënjuese në karrierën e tij. Nuk mund të mungonte nga biseda ajo mbrëmje mbresëlënëse kundër Ferencvaros-it në kualifikueset për Champions League. Hoxha priti 3 penallti hapi serinë e golave nga 11 metrat me një panenka që do ta kishin zili edhe sulmuesit më në zë të botës. Portieri 36-vjeçar ka zbuluar edhe bisedën që pati me Idriz Bathën përpara se të gjuhej ajo penallti e famshme e Alban Hoxhës.
“Ka qenë natë e paharruar. Përveçse luanim në Champions League, ishte panenka që bëra unë, prita tre penallti. Ishte momenti që po shkonte loja drejt fundit dhe pak minuta kishte. Te stoli po ndanin kush do të gjuante dhe kush nuk do të gjuante. Batha i kishte Sormanit: ‘Fut Albanin të parëin. Le ta gjuajë Albani’. Kishin rënë dakort. Vjen më thotë mua: ‘Të kam vënë ty të parin. Bëje gol’.
Në moment më erdhi një përgjigje instiktive. ‘Ke për të parë një gol që do ta mbash mend’, i thashë unë. ‘Ore ti, po luajmë në Champions, nuk po luajmë në kampionat. Mos u tall’. Pasi mbaruan penalltitë më tha: ‘Ti je i çmendur! Na bërë me zemër’. Kur mora topin që do e gjuaja, kisha disa penallti. Unë nuk jam ndonjë që shquhem për penallti, thjesht gjuaj për qejf në stërvitje”, ka thënë Alban Hoxha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/