“Kjo Kombëtare ka nevojë për gola”, trajneri Maran: Me mua sulmuesit shënojnë gjithmonë maksimumin e golave

Kombëtarja shqiptare ka publikuar sot listën me lojtarët e grumbulluar për miqësoret e me Luksemburgun dhe Izraelin. Trajneri Maran është paraqitur përpara gazetarëve për të shuar kureshtjet e tyre në konferencën për shtyp. Kreu i ri i pankinës së kuqezinjve ka pranuar se kjo listë e parë ishte tashmë e realizuar dhe vendosi t’i besonte të njëjtëve lojtarëve për t’i njohur kështu më tepër. Marani theksoi se nën dretimin e tij sulmuesit kanë arritur të shënojnë thuajse gjithnjë maksimumin e golave në karrierat e tyre, çka nënkupton se do të përpiqet të zhvillojë një lojë sulmuese te ekipi kombëtar shqiptar.

“Do të kisha dashur të ishte pak më e madhe kjo listë. Jam përqendruar te lista e pritjes, sepse tashmë ishte e bërë. Kam folur edhe me Strakoshën, me Dajsinanin, Muçin, Gripshin dhe Manajn. Kam ndjekur këtë listë. Jam në një fazë ku unë duhet t’i njoh më mirë lojtarët.

Është e vërtetë që me mua thuajse gjithmonë sulmuesit kanë shënuar maksimumin e golave. Kjo do të thotë se skuadra ndërton shumë që sulmuesit të shënojnë shumë gola. Nëse shënon shumë gola, atëherë ka shumë shanse që rezultatet të jenë të favorshme. Kjo mund të ndihmojë Brojën, por edhe sulmesit e tjerë. Një Kombëtare ka nevojë për më shumë lojtarë, sepse luhet në të gjitha fazët. Jam i bindur se puna që do të bëjmë në fushë do t’i ndihmojnë sulmuesit të shënojnë më shumë, diçka që i duhet kësaj Kombëtareje. Është një Kombëtare që ka nevojë për gola”, ka deklaruar Rolando Marani./Sport Ekspres/