Kombëtarja shqiptare e personave me aftësi të kufizuara intelektuale mbyll aventurën historike në “Genuine Cup 2026”

Ekipi Kombëtar i Shqipërisë për personat me aftësi të kufizuara intelektuale përfaqësoi për herë të parë vendin tonë në turneun ndërkombëtar “Genuine Cup 2026”, që po zhvillohet në Houston, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo pjesëmarrje historike përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për futbollin shqiptar, por edhe për promovimin e vlerave të barazisë, gjithëpërfshirjes dhe përgjegjësisë sociale përmes sportit.

Në ndeshjet e fazës së grupeve, Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar nëntë takime, duke regjistruar 3 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje. Përtej rezultateve sportive, skuadra ka dhuruar paraqitje dinjitoze, duke treguar përkushtim, shpirt gare, respekt për kundërshtarin dhe pasion për futbollin – vlera që e bëjnë këtë eksperiencë një sukses të vërtetë.

Pjesëmarrja në “Genuine Cup 2026” u jep këtyre sportistëve mundësinë të garojnë në një skenë ndërkombëtare, të krijojnë miqësi të reja dhe të dëshmojnë se futbolli është një gjuhë universale që bashkon njerëzit, pavarësisht aftësive apo sfidave që ata kanë.

Ky projekt është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit për të ndërtuar një futboll sa më gjithëpërfshirës dhe për t’u ofruar mundësi të barabarta të gjithë atyre që dëshirojnë të jenë pjesë e lojës.

Në bashkëpunim me partnerët institucionalë dhe organizatat që mbështesin personat me aftësi të kufizuara intelektuale si qendrat “Autizmi Flet”, “Edhe unë Mundem” dhe “Caritas Albania”, FSHF ka punuar në mënyrë të vazhdueshme për krijimin, zhvillimin dhe përgatitjen e këtij ekipi kombëtar, duke bërë të mundur pjesëmarrjen e tij në kompeticione ndërkombëtare.

Për Federatën Shqiptare të Futbollit, përgjegjësia sociale është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të futbollit. Përmes projekteve të tilla, FSHF synon të përdorë fuqinë e futbollit si një instrument integrimi, edukimi dhe përfshirjeje sociale, duke krijuar mundësi reale që edhe personat nga kategoritë më vulnerabël të jenë pjesë aktive e aktiviteteve sportive dhe të përfaqësojnë me krenari Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në “Genuine Cup 2026” mbetet një arritje e rëndësishme për futbollin shqiptar dhe një dëshmi se sporti mund të jetë një urë që bashkon, frymëzon dhe krijon mundësi të barabarta për të gjithë. Me këtë angazhim, FSHF konfirmon edhe një herë se futbolli nuk njeh barriera dhe se vlerat e tij shkojnë shumë përtej rezultatit në fushën e lojës.