Kristjan Asllani, dëgjo se çfarë thotë Marash Kumbulla! Mbrojtësi i Shqipërisë e këshillon: Shiko rastin tim… 

Kristjan Asllani po vuan kritika të mëdha në Itali dhe shpeshherë të padrejta. Presioni te Interi është shumë i madh dhe për shkak të gabimeve në të kaluarën dhe mungesës së hapësirës, një gabim i shqiptarit shihet me lupë dhe merr një vëmendje të jashtëzakonshme, ndryshe nga lojtarët e tjerë. 

Marash Kumbulla kaloi të njëjtën situatë, por mbrojtësi ynë u transferua te Espanjoli në La Liga dhe aty është kthyer në lojtarin kryesor të ekipit dhe një digë të vërtetë në prapavijë. Në një intervistë për mediat italiane, Kumbulla e ka këshilluar Asllanin të bëj një lëvizje të ngjashme. 

“Teknikisht Asllani është shumë i fortë, por nuk e di. Duhet të njohësh dinamikat nga brenda ekipit për të folur. Unë thjesht po iu jap shembullin tim, kur unë nuk luaja shumë te Roma dhe më pas vinte momenti im për të luajtur, nuk ndihesha fare në më të mirën time. Është mënyra sesi ti e percepton, vazhdimësia është ajo që të sjell besimin, kjo vlen shumë për talentet dhe lojtarët e rinj si Asllani apo si unë para dy apo tre vitesh”, tha Kumbulla. /Sport Ekspres/