Mesfushori spanjoll Rodri ka thënë para ndeshjes gjysmëfinale kundër Francës në Kampionatin Evropian të Gjermanisë, se skuadra franceze nuk kufizohet vetëm me kapitenin Kylian Mbappe, duke shtuar se kombëtarja është ndër më të mirat e viteve të fundit.
“Unë jam i kujdesshëm për atë që thuhet për të (Mbappe pas dëmtimit të tij), se është në formë të dobët. E njoh atë, ka aftësinë të sulmojë në çdo moment. Por skuadra franceze nuk ka të bëjë vetëm me të. Të gjithë lojtarët mbrojnë shumë mirë, ata janë shumë i rrezikshëm në kundërsulme”, tha Rodri.
Sipas tij, Franca është skuadra që ka luajtur më së shumti finale, faza finale të turneve të mëdha në vitet e fundit dhe që ka arritur më shumë rezultate.
“Është një ekip shumë i vështirë për t’u mposhtur. Ne do të luajmë me armët tona, do të shkojmë në drejtimin që duam. Do të shkojmë pa frikë, me siguri, sepse kemi treguar se mund të mposhtim çdo kundërshtar”, përfundoi Rodri. /Sport Ekspres/