Kundër Italisë nuk luhet vetëm për kualifikimin, fitorja e Shqipërisë vlen 1 milionë euro

Shqipëria do të nisë mbrëmjen e së shtunës rrugëtimin e saj në Kampionatin Europian Gjermani 2024. Kundërshtari i parë i kuqezinjve do të jetë Italia, ndërsa pas saj e presin edhe dy rivalë mjaft të fortë si Kroacia dhe Spanja. Megjithatë stafi dhe lojtarët e ekipit kombëtar janë të vendosur për të mos qenë thejsht pjesëmarrës në këtë turne, por të synojnë atë që për shumë persona mund të quhet e pamundur, kalimin e grupit. Por të shtunën në mbrëmje nuk luhet vetëm për prestigj dhe kualifikim.

Në lojë janë edhe shpërblimet e UEFA-s. Kështu në rast fitoreje në fazën e grupeve, Kombëtaret do të shpërblehen me 1 milionë euro. Sakaq barazimi vlerësohet me 500 mijë euro. Më tej UEFA do të japë 2.5 milionë euro për kualifimin në çerekfinale, 4 milionë euro për ekipin që shkon në gjysmëfinale dhe 5 milionë euro do të vlerësohet mbërritja në finale. Ndërkohë, fituesi i trofeut do të marrë një bonus prej 8 milionë eurosh nga qeveria europiane e futbollit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/