Kursi për licencën UEFA A që organizohet çdo vit nga Federata e Futbollit, në bashkëpunim me UEFA-n, mbërriti në fund të rrugëtimit për këtë edicion të 22-të, ku u diplomuan 25 trajnerë të rinj.
Ndër emrat e njohur që morën licencën e trajningut ishin edhe ish lojtari i Kombëtares, Shkëlzen Gashi dhe trajnerja e Kombërares së Vajzave U15, Daniela Kodra, të cilët përshkruan eksperiencën e tyre për fshf.org.
Shkëlzen Gashi vlerësoi eksperiencën e marrë dhe theksoi rëndësinë e kurseve të tilla në zhvillimin e një trajneri profesionist.
“Ka qenë një eksperiencë fantastike, me profesorët dhe çdo gjë tjetër, jam shumë I gëzuar që e kam mbaruar kursin UEFA A. tani po shikoj përpara, të shkoj më lart, t’u jap eksperiencën time lojtarëve, atë çfarë di.
Kam investuar më shumë te topi, pasi topin e kam në zemër, jam rritur me të dhe dua t’ia jap të rinjve eksperiencën time në fushë, të shkoj sa më lart dhe shpresoj të fitoj një kupë apo të luaj në Champions League si trajner. Duhet të investoj dhe të punoj shumë, të mësoj shumë gjëra, pasi kur je lojtar është ndryshe nga të qenit trajner, ndaj dhe kjo eksperiencë që kam marrë këtu, është një investim i mirë për të shkuar më lart” – u shpres ish futbollisti i Kombëtares, Gashi.
Ndërkaq, trajnerja Daniela Kodra i dha rëndësi të veçantë shkëmbimit të eksperiencave me trajnerë të tjerë dhe e cilësoi kursin si një eksperiencë që e ka rritur profesionalisht.
“Mendoj se ka qenë një nga kurset më efektive dhe më të vlefshme për mua personalisht. Kemi marrë një trajnim që për mua ka qenë një nga më të mirët, si dhe duke ndarë eksperiencë me trajnerë të Abissnet Superiore, Kategorisë së Parë, apo trajnerë jashtë Shqipërisë. Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e veçantë dhe më ka ndihmuar shumë në rritjen time profesionale” – u shpreh trajnerja e Kombëtares së vajzave U15.