Kukësi ka marrë një tjetër fitore të madhe dhe të papritur. Pasi eliminuan Partizanin nga Kupa e Shqipërisë, verilindorët duken në të njëjtën rrugë edhe me ekipin tjetër kryeqytetas, Tiranën. Ekipi i drejtuar nga Devolli është në prag rënie nga Superiorja, por shumë afër finales së Kupës.
Në ditën e sotme ky ekip ka arritur që të fitojë kundër Tiranës me shifrat 2-0. Mingo realizoi golin e parë në të 19, ndërsa Solodovnicov dyfishoi shifrat në të 59. Pavarësisht dëshirës së Tiranës për të ngushtuar shifrat, bardheblutë i falen faktit se gjysmëfinalja do të luhet me dy ndeshje, duke pasur ende shpresë në kthim.
Nga krahu tjetër Egnatia ka fituar 1-0 kundër Vllaznisë. Goli i vetëm i takimit është shënuar nga Fernando në minutën e 30. Vetëm pesë minuta pas këtij goli, Stojanovic do të dilte me karton të kuq duke e lënë Vllazninë me 10 lojtarë. Ndërkohë në minutën e 79, Hakaj do të merrte karton të kuq pas një ndërhyrje të gabuar, duke bërë që Vllaznia ta mbyll ndeshjen me 9 lojtarë. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:
Qatip Osmani: “Ky rezultat na jep ende shpresë për ndeshjen e kthimit. U munduam të organizonim sulme të shpejta nëpërmjet Grudës dhe Malës, por diçka nuk funksiononte. Stojanovic dhe Hakaj me të kuqe? Kur i morën ato kartonët, menjëherë mendova ndeshjen e kthimit. Mendoj se kemi lojtarë zëvendësues që mos të ndihet shumë mungesa e tyre. Duhet që të mendojmë pozitivisht, pavarësisht se janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm për ekipin tonë, duhet t’i zëvendësojmë. Sigurisht që të evitojmë ato gabimet e bëra në pjesën e parë”.