Lojtarët e festuan arritjen në Champions League me flamurin e Shqipërisë, mediat serbe: Lojtari serb kërkon të largohet nga Sparta e Pragës

Lojtarët e festuan arritjen në Champions League me flamurin e Shqipërisë, mediat serbe: Lojtari serb kërkon të largohet nga Sparta e Pragës

Sparta e Pragës ka arritur që të kalojë në fazën e grupeve të Champions League. Një sukses i madh i ekipit çek që fitoi kundër Malmos në shtëpi me shifrat 2-0, ndërsa në ndeshjen e parë, kishte fituar me po të njëjtat shifra në transfertë.

Te Sparta e Pragës gjenden katër lojtarë shqiptarë, Krasniqi, Rrahmani, Tuci dhe Qazim Laci. Rrahmani shënoi golin e dytë të takimit në përballjen e djeshme, duke vulosur përfundimisht fitoren dhe kalimin më tej.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, katër lojtarët shqiptarë bënë së bashku një fotografi dhe festuan me flamurin kuqezi. Fotografia është shpërndarë edhe nga faqja zyrtare e Spartës në rrjetet sociale. E gjitha kjo ka sjellë shumë komente, pasi në përshkrim shihet flamuri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, që tregojnë origjinën e lojtarëve.

Por sa herë që Sparta e Pragës luante më parë me ekipet serbe, i gjithë stadiumi oshëtinte me thirrjet se Kosova është pjesë e Serbisë. Tifozët e Spartës kanë pasur gjithmonë më parë këtë sjellje, në mbështetje të serbëve.

Për këtë arsye ishin jo të pakët tifozët e Spartës që kishin disa komente negative te fotografia e shpërndarë me flamurin shqiptarë. Ndërkohë mediat serbe kanë shkuar edhe më tej deri në ekstrem. Sipas tyre, lojtari serb i Spartës, Birmancevic, dëshiron të largohet menjëherë nga skuadra pas kësaj që ka ndodhur dhe nuk është aspak i lumtur, duke marrë gjithë presionin që vjen nga Serbia për të. /Sport Ekspres/