Lojtari i Çekisë tregon planin si eliminohet Kristjan Asllani: Një lojtar 2 metra dhe nuk e sheh topin me sy

Edhe dy ditë na ndajnë nga finalja e parë e Ligës së Kombeve për Shqipërinë, kundër Çekisë. Kjo ndeshje do të luhet në mbrëmjen e së shtunës dhe pritet me shumë interes, për arsye të ndryshme. E para për shkak se në rast fitore, do të luajmë deri në fund shanset e vendit të parë, në të kundërt, nuk kemi asnjë shans matematik për vendin e parë.

E dyta për shkak të mënyrën sesi na trajtuan në shtëpinë e tyre, atje ku u tregua mbështetja për Serbinë dhe flamujt tonë u vendosën kokëposhtë. Por për të mos ngelur këtu, në ndeshjen e parë të fituar në shifrat 2-0, Shqipëria e Silvinjos ka nxjerrë ndeshjen më të dobët në Çeki. Si pritet të luajnë çekët në Tiranë? Në të njëjtën mënyrë, me presion të madh për të futur frikën te kuqezinjtë dhe për të shtuar gabimet.

Këtë e ka zbuluar mesfushori 23-vjeçar i Plzen, Pavel Sulc. “Ne nuk do të ndryshojmë asgjë nga ndeshja e parë. Ne do të ushtrojmë presion dhe do të luajmë në të njëjtën mënyrë. Besoj se e kam ruajtur një gol për Shqipërinë”, tha Sulc.

Por për kundër kërcënimit për realizim, Sulc tregoi edhe një detaj të bukur. Ai zbuloi planin e çekëve për të nxjerrë komplet nga loja Kristjan Asllanin dhe që sipas Sulc, funksionoi në përsosmëri në Ceki, pasi Asllani “u zhduk” nga fusha.

“Kur kapiteni ynë Tomas Soucek vendosi që të ruante Kristjan Asllanin, ishte shumë mirë dhe do të rezultoi përsëri zgjedhje e bukur. Asllani u nervozua që në minutën e 50 kur pa një djalë 2 metra që vraponte pas tij dhe nuk e kishte më topin në këmbë. Ne duhet të mbrojmë këto individualitete që ka Shqipëria”, tha Sulc. Pra plani i çekëve do të jetë për të mbyllur çdo hapësirë të Kristjan Asllanit duke parë që është pikërisht ky lojtar që organizon lojën te Shqipëria. /Sport Ekspres/