Vëllezërit Xhaka kanë qenë më të komentuarit në vitet e fundit sa i përket futbollistëve shqiptarë. Të gjithë donin që Graniti të ishte pjesë e Shqipërisë, por për fat të keq, mesfushori është pjesë e Zvicrës. Megjithatë njëri prej vëllezërve erdhi te Shqipëria për pak kohë, Taulanti.
Jo në lartësinë e vëllait të tij, por sërish arriti të shkruajë historinë me fanellën e Shqipërisë. Jo pak, por 30 ndeshje të luajtura me fanellën e Kombëtares, nga të cilat mori jo pak emocione. Taulant ishte pjesë e Europianit të parë në historinë e Shqipërisë, në Europianin e Francës. Atje shkroi edhe një histori të re për futbollin europian pasi luajti përballë vëllait të tij, Taulantit, në Shqipëri-Zvicër.
Ndërkohë e gjithë vëmendja më e madhe është padyshim te nata e Beogradit, ku sypatrembur, Taulanti u largua i fundit nga fusha e blertë dhe nuk u kurse muskujt e tij me serbët. Dje, Xhaka la përfundimisht futbollin, pasi kohë më parë ishte tërhequr nga Kombëtarja.
Në ndeshjen kundër Luzernit, e fundit e karrierës së tij, Taulant Xhaka u hodh në fushë si titullar. Klubi kishte menduar një detaj të bukur teksa e largoi nga fusha në minutën e 34. Numri në fanellë i Taulant Xhakës ishte 34, ndërsa edhe mosha e tij është 34-vjeçare. Si një shenjë simbolike, klubi e largoi nga fusha në minutën e 34 për të marrë një duartrokitje të madhe nga publiku në Zvicër dhe një falenderim për të gjithë kontributin e dhënë.
Por edhe në këtë rast, Taulanti u venit nga vëllai i tij, Graniti. Kjo pasi para ndeshjes, Graniti mbajti një fjalim për vëllain e tij para tifozëve të Basel, ku mes të tjerash tha: “Një Xhaka iku dhe një tjetër do të vij së shpejti”, duke paralajmëruar kalimin e tij nga Leverkusen te Bazeli. I menjëhershëm ishte shpërthimi emocional i tifozëve të Bazel që nisën të këndonin për Granit Xhakën, duke harruar largimin e Taulantit. /Sport Ekspres/