Maran zgjeron listën e Kombëtares, rreth 50 ftesa! Sabah Kerjota merret për herë të parë

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, po përgatit një listë të gjerë për ndeshjet e ardhshme të kuqezinjve, teksa rreth 50 futbollistë kanë marrë ftesa paraprake nga stafi italian. Lista zyrtare pritet të publikohet më 18 shtator, ndërsa jo të gjithë emrat e ftuar do të jenë pjesë e grumbullimit final.

Maran dëshiron të ketë një panoramë sa më të plotë të lojtarëve në dispozicion dhe njëkohësisht të vëzhgojë profile të reja që mund të bëhen pjesë e Kombëtares në të ardhmen.

Një nga risitë është Sabah Kerjota, sulmuesi i Hearts, i cili ka spikatur në Skoci, me lajmin e bërë publik nga Top Channel.

Në vëmendje janë edhe tre futbollistë të Dinamo City: Klevi Qefalia, Usni Ismaili dhe Naser Aliji. Dy të parët janë emra të rinj për Kombëtaren A, ndërsa Aliji mund të rikthehet në përfaqësuese.

Ndërkohë, Thomas Strakosha do të mungojë për shkak të dëmtimit, ndërsa Ernest Muçi, Rey Manaj dhe Taulant Seferi janë kandidatë për rikthim.

Shqipëria do të luajë katër ndeshje në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit, ndaj Maran kërkon një grup sa më të gjerë alternativash. /Sport Ekspres/