“Më pëlqen Asllani”, Fabio Kapelo veçon Interin: Kanë dy ekipe, objektivi kryesor do të jetë Champions-i

Fabio Kapelo ka veçuar Interin në garën për titullin kampion në Itali. Ish-trajneri italian ka thënë për “Sportweek” se zikaltrit kanë dy ekipe në organikë, çka i bën ata konkurues në të gjitha garat. Madje sipas tij, objektiv kryesor për Interin këtë sezon do të jetë Liga e Kampionëve. Fabio Kapelo ka folur edhe për mungesën e aktivizimit të Kristjan Asllanit. Ai është shprehur se e pëlqen lojtarin shqiptar, por shton se mesfusha e Interit është shumë e fortë dhe rrjedhimisht hapësirat janë më të pakta.

“Interi është përpara të gjithëve. Ata janë favoritët. Janë forcuar, kanë dy skuadra në dispozicion. Inzaghi vrapon në të gjitha pistat, përfshirë atë që të çon në Ligën e Kampionëve. Nëse skuadra shkoi atje (në finale) dy vjet më pare, nuk e kuptoj pse nuk mund t’ia dalë edhe në tjetrin, duke pasur ndërkohë një bindje më të madhe në aftësitë e tij falë skudetos, që është edhe rezultat i një epërsie dërrmuese ndaj kundërshtarëve. Unë me të vërtetë mendoj se Liga e Kampionëve është një objektiv konkret për zikaltrit, në mos ai kryesori. Më pëlqen Asllani, por problemi është se të gjithë në mesfushën e Interit janë të fortë… Por aspekti më i rëndësishëm është shpirti i ekipit”, ka thënë Fabio Kapelo./Sport Ekspres/