“Më pëlqen karakteri jonë, po t’i shënonim ato 2 raste do flisnim ndryshe”, Nuhiu: Po jua theksoj, përballë kishim Dinamon

Derbi mes Tiranës dhe Dinamos ka përmbyllur javën e 23-të të “Abissnet Superiore”-s. Skuadrat janë larguar me nga një pikë secila nga stadiumi “Selman Stërmasi”, teksa sfida ka përfunduar me shifrat 1-1. Pas përfundimit të derbit, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH Sport”.

Nuhiu (Tirana): “Personalisht më pëlqeu skuadra. Më pëlqen karakteri i grupit, i cili ka plot ndeshje që i ka barazuar apo i ka fituar. Nëse do të na thonin në fillim të ndeshjes a do ta donit barazimin kundër një skuadreje që është ndërtuar për titull, ndërsa ne jemi mbledhur në janar… I kemi krijuar shumë raste një skuadreje si Dinamoja. Duhej ta mbyllnim ndeshjen me golin e dytë. Por nuk kam asnjë ankesë për çunat.

Ajo që i thashë lojtarëve në fund të pjesës së parë, kur ishim me një lojtarë më shumë, ishte: “Djema, nëse duam ta mbrojmë rezultatin, duhet të mbajmë kontrollin e topit”. Edhe ashtu e nisëm pjesën e dytë. Nuk duhet të harrojmë që skuadra kundërshtare vërtetë ka cilësi dhe ka një kohë të gjatë bashkë. Na vunë në vështirësi. Pika na vlen shumë në momentin që gjendemi. Po e theksoj edhe një herë, përballë kishim Dinamon. Jo vetëm në kampionat, por edhe në Europë kanë bërë ndeshje të mira. E di që do të flisnim ndryshe nëse do të shënonim ato 2-3 raste që kishim ballë për ballë me portierin”.

Daja (Dinamo): “Përpos Bregut, Guindo dhe Mustafa janë sulmues qendre. Donim të shfrytëzonim aftësitë e tyre. Bregu ka luajtur sulmues qendre, por e përdorëm për një tjetër manovër. Pas 4 ditësh kemi prapë ndeshje me Tiranën në Kupë. Nuk mund të hapeshim shumë, sepse Tirana ka kundërsulm të shpejtë me lojtarë që në mënyrë individuale mund të na ndëshkonim. Kishim dy lojtarë qendre me kartonë të verdhë, prandaj bëmë këtë lloj rreshtimi në këtë ndeshje që u duk sikur brenda saj pati 3 ndeshje.

Ajo që kemi ndryshuar është rikthimi i Ditës. Si kapiten dhe si qendërmbrojtës na jep siguri. Presim rikthimin e Alijit dhe të Beqajt. Këto fillojnë dhe bëjnë që ekipi të marrë atë panoramë që ka qenë në 2025-n. Më vjen më tepër keq për golin e pësuar, kartonin e kuq, apo për penalltinë e humbur? Për të gjitha nga pak më vjen keq, por ky kartoni i kuq është pak problem. Përpos se u largua në ndeshjen e sotme, do të mungojë edhe në të ardhmen. Dinamoja ka 6 karton të kuq, është ekip agresiv. Nëse këto janë statistika të vërteta, atëherë ju shihni futboll tjetër nga ai që unë shoh këtu në fushë”./Sport Ekspres/