Emisioni Koha Shtesë ka pasur këtë herë në intervistë një legjendë të Shqipërisë, Sokol Kushtën. Fjala merr gjithmonë peshë të madhe kur del nga goja e figurave të tilla, që kanë shumë për të thënë dhe sigurisht, që ka shumë për të dëgjuar. Kushta ka folur rreth gjithçkaje, në një intervistë dhe analizë të gjatë vetëm për Kombëtaren. (Videon e plotë të intervistës e gjeni më poshtë)
“Unë dua të jap një shembullin tim personal, që tregon shumë për futbollin. Në 1984 unë isha në formacion dhe luaja përpara me Mingën. Në ndeshjen e fundit, miqësore ose përgatitore që bëm në Kavajë, unë dëmtoj kaviljen. Dal nga formacioni dhe bëra një punë shumë të madhe që të hyja në formacion se ndeshjet vazhduan të tilla, që formacioni u konkludua dhe kishte rezultate të mira. Trajneri më la jashtë formacionit, mua ndoshta nuk më pëlqeu në atë moment, por ekipi po arrinte rezultatet e duhura.
Unë jam dashamirës i madh i Brojës. Shqiptarët janë cik të ndjeshëm ndaj lojtarëve që janë pjesë e ekipeve të mëdha. Është rritur te Chelsea dhe jo më kot, e kanë vlerësuar. Por ndonjëherë, mendimet e gazetarëve janë të ekzagjeruara. Sulmet i kanë kthyer në anën e Silvinjos. Unë dhashë vet shembullin tim më parë, atëherë diskutohesha që isha te 2-3 sulmuesit më të mirë të momentit. Por ai dëmtimi im, më largoi nga formacioni.
Atëherë nuk më pëlqente, por sot jam koshient që trajneri nuk ndryshoi formacionin fitues. Nuk po them që Broja nuk ka vend, ai ka vendin e tij, por vendi fitohet me punë, me minuta dhe me gjendje fizike. 2 minutat te Chelsea nuk bëjnë 80 minuta në ekip tjetër. Dëmtimi i Brojës ishte shumë i madh dhe të garantoj që 80% e lojtarëve me dëmtimin e Brojës, nuk janë bërë më. Mos të fillojmë kot me këto historitë që Silvinjo nuk e do Brojën. Ka ndaluar Maradona dhe yje të tjerë dhe futbolli ka vazhduar akoma. Mos të mitizojmë ca gjëra dhe mos ta prishim me thashethemet e lagjes. Unë ngela jashtë atëherë dhe Shqipëria mori rezultate pozitive, grupi fitues nuk mund të prekej, trajnerit i jepte të drejtë rezultati. Futbolli nuk është tenis, është lojë kolektive. Unë ju siguroj se nëse ka njeri pa cepa, pa ego të keqe, pa mllefe është Silvinjo.
Unë vë re tani që edhe shqiptarët e Kosovës kanë nisur të flasin shqipen e pastër. Më përpara, ishin dy veta në një cep, tre veta në një cep tjetër. Dikush fliste gjermanisht, diku italisht dhe flisnin shqipe të çalët. Tani edhe shqiptarët e Kosovës po flasin mirë shqip. Më para nuk komunikonin kështu, flisnin më shumë për ekipet e tyre”, tha Kushta. /Sport Ekspres/