Portieri i përfaqësueses së Kepit të Gjelbër, Vozinha, një nga zbulimet më të mëdha të Kupës së Botës 2026, ka folur hapur për të ardhmen e tij, duke theksuar se dëshiron të vazhdojë karrierën edhe për të paktën një ose dy sezone të tjera. Gardiani 40-vjeçar, i cili fitoi admirimin e tifozëve me paraqitjet e tij fantastike në Botëror, deklaroi se prioriteti i tij nuk është fama, por një projekt sportiv serioz.
Në një intervistë për CBS, Vozinha u shpreh qartë: “Shpresoj të gjej një ekip që më do për atë që mund të jap si futbollist, jo si figurë marketingu.” Kjo deklaratë ka tërhequr vëmendjen e mediave, pasi portieri është kthyer në një nga emrat më të përfolur në merkaton e verës pas performancave të shkëlqyera me kombëtaren e Kepit të Gjelbër.
Sipas raportimeve, një nga klubet më të interesuara është gjiganti kilian Colo-Colo, i cili i ka paraqitur një ofertë dhe besohet se palët janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje. Interes për Vozinhën kanë shfaqur edhe klube të tjera nga Amerika, por vetë portieri dëshiron të zgjedhë një destinacion ku të vlerësohet për cilësitë e tij në fushë.
Pavarësisht moshës 40-vjeçare, Vozinha mbetet i bindur se mund të luajë ende në nivel të lartë. Ai theksoi se do të vazhdojë për aq kohë sa trupi i tij t’i përgjigjet kërkesave të futbollit profesionist, duke e bërë të qartë se pasioni për lojën është ende motivimi i tij më i madh. /Sport Ekspres/