Mourinho do që lojtari i tij të mos shitet, Erdogan i tregon se kush komandon në Turqi: Lërë të shkojë në kampionat tjetër, mos luaj…

Njeriu i parë i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka ndjekur dje nga tribuna humbjen e kombëtares së tij ndaj Holandës në çerekfinale të Kampionatit Evropian 2-1. Erdogan është një adhurues i madh i futbollit dhe padyshim që ndjek gjithçka që ndodh në kampionat dhe në kombëtare.

Një nga temat për të cilat foli presidenti turk ishte situata rreth futbollistit të Fenerbahçes, Ferdi Kadioglu. Mbrojtësi i majtë 24-vjeçar tërhoqi vëmendjen me paraqitjet e shkëlqyera dhe shumë klube evropiane e duan atë në radhët e tyre.

Megjithatë, trajneri i Fenerbahçes, Jose Mourinho, e bëri të qartë se Kadioglu nuk është në shitje. Kjo e shqetësoi edhe Erdoganin, i cili mendon se djali duhet të shkojë në Evropë dhe të fitojë para.

“Mendoj se duhet t’u hapim rrugën futbollistëve tanë. Mendoj se nuk është e drejtë që liga jonë ka shumë të huaj. Flitet për Ferdi Kadioglu dhe Jose Mourinho thotë ‘nuk mund të shkojë’. Nuk duhet të luash me të ardhmen e atij djalit”, ishin fjalët e presidentit turk Erdogan. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/