“Na penalizoi edhe ndonjë vendim i gabuar i arbitrit”, Maran: Nëse luajmë kështu, nuk shqetësohem për asgjë

Shqipëria është larguar me humbje nga transferta finlandeze. Vendasit fituan me shifrat e ngushta 2-1. Kuqezinjtë kaluan në epërsi që në minutën e 4-t me anë të Manajt, por një karton i kuq i Berishës në pjesën e parë bëri një sfida të merrte një rrjedhë tjetër. Megjithëse me një lojtar më tepër, Finlanda nuk ishte mjaftueshme e rrezikshme për Shqipëinë, por dy golat e ardhur nga goditjet e dënimit sollën përmbysjen e ndeshjes në 2-1 për finlandezët. Pas përfundimit të lojës, lojtarët dhe trajneri kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “TV Klan”-it.

Maran: “Kemi pësuar dy gola nga dy goditje dënimi. Na penalizuan shumë. Është zhgënjyese të humbasësh një ndeshje kështu. Meritonim një rezultat pozitiv, pasi bëmë një ndeshje shumë të mirë. Skuadra luftoi për të bërë aksione. Rezultati na penalizon. Dua të shoh skuadrën që të bëjë këto paraqitje. Nëse bëjmë këto paraqitje, atëherë nuk shqetësohem për asgjë. Ndonjë episod, ndodhë vendim arbitrar, që për mua nuk u gjykua si duhej, të penalizon. Kemi bërë një ndeshje të madhe”.

Muçi: “Ishim pak të zhgënjyer kur pësuam gol dhe morëm karton të kuq. Por luajtëm mirë. Ekipi reagoi mirë kur ishte me 10 lojtar. Kemi San Marinon, pastaj në nëntor kemi 2 ndeshje. Aty duhet të dalim në vendin e parë. Finlanda është i vetmi ekip që na ka mundur deri tani. Nëse do të ishte 11 kundër 11, loja do të ishte ndryshe. Por Finlanda është kundërshtari jonë direkt”./Sport Ekspres/