Federata e Futbollit do të organizojë kursin e radhës për trajnerët me licencë UEFA C në qytetin e Shkodrës, me pjesëmarrjen e të gjithë të apasionuarve pas futbollit që duan të bëhen pjesë e botës së trajningut dhe që jetojnë e punojnë në veri. Kursi do të nisë më 20 tetor 2025 dhe do të përfundojë më 11 dhjetor 2025, duke u zhvilluar në tre blloqe leksionesh: 20-22 tetor 2025, 10-12 nëntor 2025 dhe 8-11 dhjetor 2025.
Kriteret për regjistrim:
- Mosha minimale 20 vjeç, e plotësuar në datën e afatit të aplikimit;
- Diploma e shkollës së mesme;
- Aktiviteti që ushtrojnë;
- Numri i kontaktit;
- Fotokopje e ID-së ose e pasaportës.
Kërkesat për regjistrim duhet të dërgohen përmes postës elektronike në adresën [email protected] ose të paraqiten pranë zyrave të SHRFSH.
Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 3 tetor 2025.
Kursi për licencën UEFA C është baza e rrugëtimit për t’u bërë trajner profesionist. Pjesëmarrësit që pajisen me këtë licencë mund të drejtojnë ekipe në futbollin amator dhe të punojnë si zëvendës-trajnerë në ekipet e moshave që marrin pjesë në kampionatet e organizuara nga FSHF.