Faton Zylbehari ishte i pranishëm në emisionin “Mega Sport” në “A2 CNN” përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë. Zyrtari i Shkëndijës ka folur për suksesin e jashtëzakonshëm të kuqezinjve, të cilët përpos kualifikimit për të parën herë në Ligën e Konferencës, kanë arritur të kalojnë edhe në fazën me eleminim direkt të këtij kompeticioni. Zylbehari ka zbuluar se lojtarët e skuadrës nga Tetova tashmë kanë marrë oferta nga klube të huaja. Ndër futbollistët e pëlqyer në merkato janë Cake dhe Tamba, për të cilin ka mbërritur një ofertë rekord prej 800 mijë eurosh.
“Shkëndija ka arritur suksesin më të madh jo vetëm në historikun e saj, por edhe në futbollin e Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm. Sigurisht që viti 2025 do të mbetet një panoramë e bukur. Një kujtesë e shkëlqyeshme, një përvojë e jashtëzakonshme, me shpresën që ne do ta përsërisim, pse jo edhe ta tejkalojmë. Për herë të parë në futbollin tonë, edhe në Shqipëri nuk ka ndodhur, Shkëndija dhe Drita, jo vetëm që ishin në fazën kryesore të një kompeticioni europian, do të jenë edhe në pranverë pjesë e Ligës së Konferencës.
Ka kohë që i kemi shmangur ato kufij që fatkeqësisht politika nuk mundi t’i ndryshojë. Ne tashmë jemi një. Në Tetovë çdonjëri nga ju, edhe për ne kur vijmë aty, duhet të jemi sin ë vendin tonë. Nuk shoh ndonjë dallim.
Është diçka e jashtëzakonshme ajo që ka ndodhur me Caken. Në verë ishte një lojtar i lirë për t’u larguar nga Shkëndija. Me dokumentat në dorë vendosi të qendrojë, sepse tha: ‘Ka një histori pa bërë’. Shyqyr Zotit u bë ajo histori dhe sot ofertat për Caken janë jashtëzakonisht të mëdhaja. Çdo lojtar i Shkëndijës ka oferta nga gjithandej. Interesim për Caken ka nga Rusia. Fabris Tamba ishte fare pranë kalimit në kampionatin e Ukrainës për një çmim rekord. Zyrtarisht 800 mijë euro ishte oferta për Tambën.”, ka thënë Faton Zylbehari./Sport Ekspres/