Nga Verona te Espanjoli! Marash Kumbulla në udhëkryq, a do të rrisi Gasperini një tjetër “përbindësh” për Shqipërinë?

Marash Kumbulla mori fjalën e parë dhe jehonën e madhe mediatike në Itali me super performancat e zhvilluara te Verona disa sezone më parë. Ishte lojtari që të gjithë kërkonin në mbrojtje dhe në fund, Roma fitoi garën. Një nisje perfekte për Kumbullën, ndërsa më pas filluan dëmtimet dhe Kumbulla nuk u kthye më kurrë në Itali në formën e tij optimale.

Ndërkohë te Espanjoli, Kumbulla rigjeti veten, por në të gjitha rastet, te Kombëtarja, ka lënë shumë për të dëshiruar, ka qenë gjithmonë nën nivelin e pritshmërive. Aktualisht lojtari është kthyer te Roma aty ku gjen një trajner të ri si Gasperini. Në të kaluarën, Gjimshiti ka qenë në të njëjtën situatë, me valixhet gati për të ikur.

Por pasi Atalantës iu dëmtua një mbrojtës në ditët e fundit të merkatos, vendosi që të mbante Gjimshitin “nga halli”. Dhe pjesa tjetër është histori, Gjimshiti është aktualisht i vetmi kalibër botëror te Shqipëria. A do të ketë Kumbulla të njëjtin fat dhe a do ta rris Gasperini po njësoj Kumbullën si Gjimshitin? Mbetet që të shihet, ndërsa tratativat nga Verona dhe Espanjoli nuk mungojnë për të siguruar shërbimet e tij. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/