Nuk do të jetë Pep Guardiola, Italia merr Andrea Pirlon si trajnerin e ri të Kombëtares dhe ëndërron ringritjen

Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka arritur një marrëveshje me legjendën e futbollit italian, Andrea Pirlo, i cili pritet të emërohet zyrtarisht si trajneri i ri i kombëtares së Italisë. Pas largimit të Gennaro Gattuso-s në muajin prill, i cili dha dorëheqjen pas dështimit për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror 2026, Federata nisi kërkimet intensive për një drejtues të ri. Përpara se të arrinte te Pirlo, drejtori teknik Paolo Maldini zhvilloi bisedime me emra të mëdhenj si Carlo Ancelotti dhe Pep Guardiola, të cilët i refuzuan ofertat.

Pirlo, i cili ka fituar Kupën e Botës si lojtar në vitin 2006, pritet të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare që do ta mbajë në krye të “Azzurrit” deri në përfundim të Kupës së Botës 2030. 47-vjeçari, i cili më parë ka drejtuar skuadra si Juventus, Fatih Karagümrük, Sampdoria dhe së fundmi Dubai United, do të marrë përsipër detyrën e vështirë të ringritjes së kombëtares italiane dhe përgatitjes së saj për sfidat e ardhshme evropiane. Zyrtarizimi i tij pritet të bëhet publik shumë shpejt. /Sport Ekspres/