Burnley ka zhvilluar dy ndeshjet e para në Premier League, por Armando Broja nuk ka debutuar ende me këtë ekip. Sulmuesi shqiptar iu bashkua anglezëve prej kohësh, megjithatë nuk ka arritur dot që të zhvillojë ndeshjen e parë me fanellën e Burnley.
E gjitha kjo për shkak se në periudhën e pushimeve, Broja është qetësuar pak më shumë sesa duhet dhe tani e kishte më të vështirë për të kapur ritmin e shokëve të ekipit. Vecanërisht duke ardhur nga një histori e ngjeshur dëmtimesh, shqiptari duhej të merrte ngarkesat gradualisht për të shkuar në pikën e përballjes në fushë në nivelin e Premier League.
Për shkak të kësaj ka vonuar edhe debutimi i tij, ndërsa trajneri i Burnley është detyruar që të pres pak më gjatë për marrë me vete Brojën. Këtë e ka deklaruar edhe pas ndeshjes së djeshme, atje ku Burnley fitoi 2-0 ndaj Sunderland. “Broja nuk është larg, nuk është aspak larg. Ka vetëm pak punë përpara për të bërë. Sic e thashë, nuk doja ta merrja me vete Brojën kundër Sunderland dhe ta rrezikoja, ishte një rrezikim i madh për të. Ka edhe pak më shumë punë për të bërë dhe ndoshta të martën mund ta fusim pak në ndeshjen me Derbin për Kupë dhe ta shohim aty”, tha Parker. /Sport Ekspres/