“Nuk e kisha të sigurt nëse do isha në listën e Europianit”! Mario Mitaj i tregon rusëve: Ëndrra ime është Botërori me Shqipërinë

Mario Mitaj ka dhënë një intervistë në Rusi ku ka treguar të gjithë aventurën e tij në Europian me Shqipërinë. Mbrojtësi i talentuar ka treguar disa detaje mjaft të veçanta, ku mes të tjerave, është shprehur se në momentin kur u publikua lista për në Gjermani, nuk kishte asgjë të sigurt dhe kishte ende pak frikë se mund të ngelet jashtë, pavarësisht se shkëlqeu në kualifikuese.

“Kur doli lista u lehtësova. Asnjëherë nuk dihet saktë se kë do të zgjedhë trajneri. Po, i kam luajtur të gjitha ndeshjet kualifikuese, por në kokë mendoja se gjithçka mund të ndodhte. Kur pashë emrin tim pastaj në listën përfundimtare, ndieva një gëzim të madh.

Edhe kur sapo kisha filluar në futboll, ëndërroja të luaja me Shqipërinë në një turne të madh. Ishte shumë motiv për mua dhe për zhvillimin tim. Aq më tepër që Shqipëria nuk është ekipi që merr pjesë rregullisht në Europian dhe Botëror, por ëndrra u realizua. Kishte aq shumë tifozë shqiptarë në Gjermani, ne na dukej sikur po luanim në shtëpi. Te ekipi më kanë mbështetur shumë gjatë Europianit dhe pas tij. Kur u ktheva, po i tregoja të gjitha detajet. Mund të them një gjë, kur luan në turne të tillë, është një lumturi e madhe.

Ne donim të kalonim grupet, por nuk ia dolëm. Nga pikëpamja strategjike, gabuam në atë barazim ndaj Kroacisë, duhej të kishim fituar aty. Megjithatë ishim në një grup të vështirë dhe nuk u larguam duke ngritur duart lart, luftuam deri në fund. Luajta në Europian, atmosferë brilante, ndeshje me ekipet më të mira në Europë, është e pamundur që ta harrosh të gjithën këtë. Tani ëndrra ime është të shkoj në Botëror me Shqipërinë”, tha Mitaj. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/