Leçja mori 3 pikët përballë Udinezes mbrëmjen e djeshme. Verdhekuqtë fituan me shifrat 2-1, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt objektivit për të siguruar qendrimin edhe për një tjetër sezon në Serinë A. Ylber Ramadani ka folur për “DAZN”-in pas ndeshjes, ku është shprehur se ekipi i tij nuk e meriton këtë pozicion në tabelën e renditjes.
“Do të tregohem i sinqertë, nuk e meritojmë këtë pozicion në tabelën e renditjes. Përpara ndeshjes thashë se kjo ishte një mundësi e madhe. Është një fitore që na jep vazhdueshmëri dhe besim për ndeshjet e ardhshme.
Ata patën vetëm një rast penalltie në pjesën e parë. Pas saj, ne kishim topin në çdo moment. Më duhet të falenderoj tifozët. Ata na përkrahin shumë. Le të vazhdojmë kështu. Na kanë mbetur edhe 14 ndeshje për të arritur rezultatin tonë”, ka thënë Ylber Ramadani./Sport Ekspres/