“Nuk lejohet as fjala “dreq”, jo më sharja”! Mendohej e kundërta, flet trajneri i boksit: Ky sport të bën më të edukuar

“Nuk lejohet as fjala “dreq”, jo më sharja”! Mendohej e kundërta, flet trajneri i boksit: Ky sport të bën më të edukuar

Trajneri Enton Kikrri ishte i ftuar në emisionin “Ora Sport” që transmetohet në “Ora News”. Trajneri ka folur edhe për edukatën që të jep sporti i boksit, atje ku ka ndaluar edhe sharjet për boksierët e rinj të cilët stërviten prej tij. Gjithashtu Kikrri foli edhe për “Titans 4”, një event ku do të ndeshen boksierë jo vetëm nga Shqipëria.

“Jam trajner i Teutës, 16 vite që merrem dhe kam një akademi që merremi për të stërvitur boksierët e rinj. Kemi edhe një ekip tjetër që quhet “Titans 4”. Këto vitet e fundit, boksi dhe kikboksi është kthyer në trend, kemi pasur dyndje. Kryesorja është pjesa e edukatës. Në palestër nuk lejoj as fjalën “dreq” që të përmendet, jo më sharje. Të gjithë bëhen më të edukuar dhe më të sjellshëm. Në fillim e nisa për pasion, për t’u ndierë mirë, por pastaj kisha shumë benefite. Në “Titans 4” do të ketë disa ndeshje boksi, me boksierë edhe nga jashtë Shqipërisë. Zakonisht eventi zgjat 4-5 orë dhe premtohet spektakël”, tha Enton Kikrri. /Sport Ekspres/