Polonia do të përballet kundër Shqipërisë në gjysmëfinalen e Play Off-it të Botërorit. Një ndeshje ku do të vendoset shumcka për rrugëtimin tonë final, teksa të gjithë kërkojnë kalimin për herë të parë në histori në kompeticionin më të rëndësishëm botëror sa i përket Kombëtave. Media e njohur në Poloni, “Weszlo” ka bërë një intervistë me gazetarin shqiptar, Altin Sulçe.
“Është për të ardhur keq që nuk mundëm ta luanim gjysmëfinalen në shtëpi. Ekipi ynë humbet pak duke mos pasur avantazhin e fushës vendase. Pyes veten se sa tifozë shqiptarë do të shfaqen në Varshavë. Duhet të ketë interes të madh për një udhëtim të tillë, pasi nuk kemi luajtur kurrë në një Kupë Bote. Mendoj se bashkatdhetarët tanë nga Shqipëria do të vijnë, por edhe njerëz që jetojnë në vende të tjera. Shpresoj se do të shohin një surprizë”, tha Altin Sulçe për median polake.
Polakët janë interesuar për ekipin e Shqipërisë, sesi do të paraqitet në Varshavë. ” ekipi ka një trajner të shkëlqyer, Sylvinhon. Ai sapo debutoi në ndeshjen kundër Polonisë në Varshavë, të cilën e humbëm 1-0. Nuk kishte shumë ndryshim në fushë. Më vonë, nën udhëheqjen e tij, e mundëm Poloninë 2-0 në shtëpi. Nuk do të jemi favoritë në mars, por është vetëm një ndeshje, 90 minuta. Lojtarët polakë luajnë në klube më të mira, por më besoni, Shqipëria ka një mentalitet vërtet të fortë, veçanërisht pasi mundi Serbinë 1-0 jashtë fushe në kualifikuese. Ekipi ynë do të luftojë për këtë Kupë Bote me ambicie të mëdha. Jemi të fortë si ekip”, tha Sulçe.
Gazetari shqiptar nuk kurse elozhet për lojtarin shqiptar që luan në Poloni, Julian Shehu, duke i dhënë edhe një dorë mes vlerësimeve futbollistit të Kombëtares në mediat e vendit ku ai punon. “Ne kemi një mbrojtës të majtë të shkëlqyer,Mario Mitaj luan për Al-Ittihad. Është liga saudite, por ai luan përkrah N’Golo Kante dhe Karim Benzema dhe është një lojtar kyç në ekip. Qendërmbrojtësi Berat Djimsiti fitoi Europa League me Atalanta Bergamo vitin e kaluar dhe kjo ishte një përvojë e vlefshme. Mbrojtësi i djathtë Elseid Hysaj ishte te Napoli dhe tani luan për Lazion. Shumë njerëz mendojnë se lojtari ynë më i mirë është Kristjan Asllani nga Torino, por unë mendoj se ka një lojtar me aftësi të krahasueshme ose pak më të vogla që luan përkrah tij. Ju e njihni mirë atë sepse ai është Julian Shehu. Një lojtar i shkëlqyer, një lojtar kyç! Jam i impresionuar nga mendja e tij; pak lojtarë mendojnë kështu në fushë dhe parashikojnë se çfarë do të ndodhë”, thotë Sulçe.
Në fund, nuk mund të mungonte një krahasim mes dy sulmuesve. “Nuk kemi një lidrr sulmi si Lewandowski. Nuk e kemi pasur kurrë. Por ende po mbështetemi te Armando Broja, i cili ka potencial të madh. Ai u lëndua në ndeshjen kundër Anglisë dhe vuajti në fushë, por për fat të mirë, nuk ishte serioze. Kanë mbetur edhe disa muaj deri në ndeshjen kundër Polonisë. Shumë kohë. Kush e di, ndoshta ndonjë lojtar i ri do t’i bashkohet ekipit tonë që do të kontribuojë ndjeshëm në sulm?”, tha gazetari shqiptar. /Sport Ekspres/