Paraqitjet e Legjionarëve/ Asiste dhe vlerësime të larta, shkëlqejnë Asllani, Bajrami & Hysaj

Legjionarët kuqezi kanë spikatur me paraqitjet e tyre në fundjavën që sapo lamë pas, duke dhënë kontribut me asiste, por edhe me paraqitje shumë të mira në fushë.

Kristjan Asllani ishte një nga më të mirët për Interin në ndeshjen ndaj Empolit. Zikaltrit triumfuan 3-1 në “San Siro” dhe mesfushori kuqezi dha asist në golin e dytë. Asllani luajti të gjithë ndeshjen dhe në fund u vlerësua me notën 8.3 nga sajti i specializuar për statistika Sofascore.

Një paraqitje fantastike zhvilloi edhe Nedim Bajrami në fitoren 5-0 të Rangers ndaj Fraseburgh. Futbollisti kuqezi spikati me dy asiste në fraksionin e dytë të ndeshjes, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në sfidën e vlefshme për Kupën e Skocisë.

Elseid Hysaj u rikthye si titullar me Lazio-n në kampionat. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare zhvilloi një ndeshje shumë të mirë në fitoren 0-3 në transfertë ndaj Verona-s dhe në fund u vlerësua si më i miri në prapavijë.

Edhe Cristian Shpendi dha një asist këtë fundjavë në fitoren e Cesena-s ndaj Sampdoria-s me rezultatin 2-1. Futbollisti kuqezi shërbeu saktë për golin e fitores, që riktheu Cesenën te triumfi në kampionat pas katër javësh.

Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Amir Abrashi, Taulant Seferi, Keidi Bare, Anis Mehmeti dhe Arbnor Muja. Dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Ivan Balliu, Ylber Ramadani dhe Ernest Muçi.