Egnatia siguroi mbrëmë një rezultat historik. Rrogozhinasit mposhtën me shifrat e thella 5-1 Shamrock Rovers-in, duke përmbysur kështu humbjen e një jave më parë dhe duke u kualifikuar në “play off” të Europa League-s. Trajneri i irlandezëve nuk e ka përtypur dot këtë humbje me goleadë. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes ai ka thënë se kjo ishte paraqitja me e dobët që ka parë ndonjëherë nga skuadra e tij.
“Sonte është ndoshta performanca më e keqe që kam parë ndonjëherë nga ne. Jo, nuk ka asnjë anë pozitive nga ajo performancë. Nuk ia del mbanë në asnjë nivel, dhe jo në nivelin europian.
Nuk nisen ndeshjet kështu. E dinim që do të fillonin shpejt, por ne u larguam nga gjithçka që donim, nga gjithçka që bëmë javën e kaluar. Thjesht u larguam nga gjithçka dhe bëmë gabime qesharake në këtë nivel, gjë që nuk mjaftoi.
E thashë pas ndeshjes së parë se isha i zhgënjyer që nuk shënuam më shumë sepse, e dini, jashtë shtëpisë në Europë është gjithmonë ndryshe.
Por pavarësisht rasteve që humbëm javën e kaluar, ne prapë erdhëm këtu dhe kishim një ndeshje përpara që duhej ta fitonim dhe nuk e kemi luajtur fare. Dhe tani për tani kjo duket si performanca më e keqe që kam parë ndonjëherë nga ne”, ka thënë Stephen Bradley./Sport Ekspres/