Përfundon Europiani për Ronaldon, penalltitë e dërgojnë Francën përballë Spanjës në gjysmëfinale

Është mësuar sot çifti i parë gjysmëfinalist i EURO 2024-s. Spanja do të përballet me Francën më datë 9 korrik. “Gjelat” kanë eliminuar sot Portugalinë nga kompeticioni. Ndeshja pati ritëm dhe raste për të shënuar, por finalizimi mungoi.

Koha e rregullt e lojës përfundoi me shifrat 0-0 e po me të njëjtin rezultat u mbyll edhe 30-minutëshi i kohës shtesë. Në ruletën ruse të penalltive fati i buzëqeshi francezëve. Ekipi i Deshampti i realizoi me sukses të 5-ta penalltitë, ndërsa në kampin luzitan ishte Zhoao Feliksi ai që gaboi, duke goditur shtyllën. Portugalia është eliminuar kështu nga ky Europian, që me shumë mundësi do të jetë i fundit për Kristiano Ronaldon./Halit Delibashi-Sport Ekspres/