Përplasja Martini-Sako kalon në nivel institucional, Vllaznia bojkoton daljet televizive dhe depoziton ankesë për moderatoren

Përplasja mes Edi Martinit dhe moderatores Hygerta Sako tashmë ka kaluar në nivel institucional. Të dyja palët patën një çast tensioni gjatë intervistës së dhënë pas ndeshjes nga trajneri i Vllaznisë. Ditën e sotme, klubi Vllaznia ka njoftuar përmes kanalit të vetë zyrtar në “Facebook” se ka depozituar një ankesë në Autoritetin e Mediave Audiovizive dhe në Federatës Shqiptare të Futbollit. Gjithashtu klubi bën me dije se prej tyre nuk do të ketë dalje mediatike për emisionet e RTSH-së që drejtohen nga moderatorja në fjalë.

“KF Vllaznia informon se, në vijim të situatës së krijuar në RTSH me moderatoren e emisionit “Supergol” ndaj stafit teknik të Vllaznisë, klubi ka ndjekur rrugën institucionale duke depozituar ankesë pranë Autoriteti i Mediave Audiovizive, si dhe duke njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit dhe RTSH.

Aktualisht jemi në pritje të përgjigjes nga institucionet përkatëse. Në këtë kontekst, klubi ka vendosur që deri në një vendimarrje të organeve kompetente të mos marrë pjesë në daljet publike në emisionet sportive të RTSH-së nën drejtimin e moderatores për të cilën tashmë ka filluar një procedurë administrative.

Kërkojmë mirëkuptimin e tifozerisë dhe sportdashësve duke mbështetur qëndrimin tonë në përpjekjen ligjore për rivendosjen e dinjitetit të nëpërkëmbur”, ka komunikuar klubi Vllaznia./Sport Ekspres/

 

KF Vllaznia beson dhe mbetet e përkushtuar ndaj respektit dhe etikës në sport.