“Po të më thërriste Shqipëria, do nisesha me makinë nga India”! Armando Sadiku: Isha vetëm, kisha para dhe isha i ri, i kalova të gjitha në Zvicër

Armando Sadiku ka hyrë në historinë e Shqipërisë si autori i golit të parë në Europian me fanellën e Kombëtares tonë. Por karriera e Armando Sadikut ka qenë jo pak e çuditshme, duke provuar disa kontinente dhe emra klubesh të pashkelura më parë nga shqiptarët. Aktualisht Sadiku është në Indi dhe ka dhënë një intervistë të fundit në atë vend, ku ka zbuluar edhe disa detaje nga jeta e tij që prekin edhe kujtimet me Shqipërinë.

“Goli kundër Rumanisë në Europian? Më ndryshoi karrierën, jetën. Mbaj mend që kur luajta dy ndeshjet e para si titullar me Zvicrën dhe Francën, njerëzit filluan që De Biazi duhej të shkarkohej, që unë nuk duhej të luaja më titullar. Kishte shumë negativitet nga tifozët, nuk më donin si titullar më te Kombëtarja. Kisha luajtur dy ndeshje titullar, kisha besim kundër Rumanisë, por thashë me vete: “De Biazi do dëgjojë njerëzit, do të më lërë në stol tani”. Kur mësuam formacionin pastaj se kush do të luante thashë me vete: “Në rregull, këtu duhet të lë jetën time”. Në fund shënova dhe pastaj fituam 1-0. Nuk shkoj në party këtu në Indi, vetëm me ekipin, jo vetëm, e kam kaluar këtë jetë. Jam më i qetë tani. Kur isha më i ri, dilja shumë shpesh me shokët. E kam kaluar këtë kohë në Zvicër dhe i kam bërë këto gjëra atje. Isha vetëm, kisha para dhe isha më i vogël në moshë. E kam mbyllur atë fazë tani. Në Indi ndihem mirë tani. Por nuk e harroj ndeshjen e parë në Indi, Mohun Bagan-Esat Bengal, temperatura ishte 39 gradë dhe në 20 minutat e para thashë: “Oh Zot, cfarë dua unë këtu në Indi”. Stadiumi ishte plot, por në pjesën e dytën nuk mund të vrapoja dot më, ishte shumë nxehtë dhe e vështirë. Por tani jam ambientuar”, tha Sadiku.

Manolo Marquez, njeriu që e drejtoi te FC Goa, njëkohësisht drejtoi edhe Kombëtaren e Indisë. Ndërkohë fjalët e Sadikut kanë marrë një jehonë të madhe në Indi pasi ka treguar sesi lojtarët indianë nuk interesohen shumë nëse do të thirren nga Kombëtarja e tyre apo jo. “Nëse do të isha indian dhe nëse do të kisha trajnerin e Kombëtares që të më stërviste cdo ditë edhe në klub, do të thoja: “Oh Zot”. Do t’i tregoja në cdo stërvitje që të më merrte në Kombëtare dhe do t’i lutesha të më merrte në Kombëtare. Përshëmbull nëse më thërret Shqipëria tani, do të ikja vetë me makinë drejt e në Shqipëri, jo me fluturimet e zakonshme.  Sepse unë e dua vendin tim dhe të luaj për Kombëtaren. Por kur flisja me djemtë e ekipit në Indi, i thoja që ishin me fat që kishin trajnerin e Kombëtares edhe trajner ekipi. Ata thonin: “Nuk ka problem, nëse na zgjedh mirë, nëse nuk na zgjedh, ai e di”, tha Sadiku. /Sport Ekspres/