Gjyqtari norvegjez Espen Eskas nuk do të vazhdojë më të ndajë drejtësi në Kupën e Botës 2026, pas vendimit të FIFA-s për ta larguar nga lista e arbitrave të mbetur në turne. Vendimi vjen vetëm pak ditë pas ndeshjes së shumëpërfolur mes Portugalisë dhe Kroacisë, e cila u shoqërua me polemika të shumta rreth vendimeve të arbitrimit.
Eskas u vu në qendër të kritikave pas disa episodeve të diskutueshme, ku përdorimi i VAR-it ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e takimit. Kroacia pa t’i anulohej një gol në minutat shtesë, ndërsa Portugalia fitoi edhe një penallti pas ndërhyrjes së sistemit VAR. Trajneri kroat Zlatko Daliç deklaroi pas ndeshjes se arbitrimi ishte “shumë i dobët”, megjithëse pranoi se humbja nuk ishte vetëm pasojë e vendimeve të gjyqtarit.
Sipas raportimeve, FIFA ka vendosur të mos e përfshijë më Eskasin në caktimet për fazat e mbetura të Botërorit, një lëvizje që interpretohet si mungesë besimi ndaj paraqitjes së tij në sfidën Portugali–Kroaci. Edhe pse nuk ka pasur një deklaratë zyrtare që ta lidhë drejtpërdrejt vendimin me gabimet e pretenduara, largimi i tij ka ngjallur debat të madh në opinionin sportiv.
Eskas konsiderohej një nga arbitrat më të vlerësuar të UEFA-s, me eksperiencë në ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe turneve madhorë ndërkombëtarë. Megjithatë, presioni dhe polemikat e krijuara në Botërorin 2026 duket se kanë ndikuar në vendimin e FIFA-s për të mos i besuar më ndeshje në vazhdim të kompeticionit.
Ky zhvillim konfirmon edhe një herë se performanca e arbitrave në turnetë më të mëdhenj monitorohet vazhdimisht dhe çdo gabim i rëndësishëm mund të ketë pasoja të menjëhershme për karrierën e tyre gjatë kompeticionit. /Sport Ekspres/