Egnatia po zhvillon një kampionat perfekt deri tani. Ekipi i drejtuar nga Tetova po kryeson renditjen, ndërsa ka diferencë të madhe me ndjekësit. Por siç dihet që para nisjes së kampionatit, këtë herë ka hyrë formula e “Final 4”, ku në fund të 36 javëve, do të zërohen pikët për katër vendet e para.
Sa shanse ka Egnatia që t’ia dali deri në fund? Një shembull me ngjashmëri të frikshme është në Belgjikë, Royal Union. Një ekip modest, me një stadium prej 9000 vendësh, hyri papritur në luftën e më të mëdhenjëve.
Menjëherë sapo u ngjit në elitë, Royal Union befasoi botën e futbollit para dy sezonesh. Ajo mbajti vendin e parë deri në përfundimin e kampionatit, më saktë të fazës së rregullt. Me 77 pikë të grumbulluara, Royal Union la mbrapa Club Brugge që ndodhej me 72 pikë në vendin e dytë.
Me vazhdimin e formulës ku në Belgjikë përgjysmohen pikë dhe nuk zërohen si në Shqipëri, Club Brugge arriti që të shpallej kampion duke marrë katër pikë më shumë se Royal Union. Eksperienca nuk blihet, përpos momentit fantastik. Madje nuk fitohet as me një vit. Royal Union tentoi sërish në sezonin e shkuar dhe e mbylli në vendin e parë së bashku me Genk, me 75 pikë. Por kur vazhdoi faza e fundit e përgjysmimit të pikëve, ishte Antëerpi i Arbnor Mujës që u shpall kampion. Pra te Egnatia kanë shumë për të studiuar në Belgjikë, në mënyrë që të mos përsërisin të njëjtën histori. /Sport Ekspres/