Ernest Muçi është njeriu i momentit në Turqi! Të gjithë po flasin për të dhe veçanërisht te Beshiktashi janë të penduar që e lejuan ikjen e këtij futbollisti. Më saktë janë penduar tifozët që nuk shikonin një lojtar me shumë të ardhme te shqiptari pas disa luhatjeve të frikshme në performancat e tij.
Megjithatë Muçi e kishte thënë problemin e tij, fakti që nuk luante si numër 10 pas sulmuesit kryesor, por përdorej gjithmonë në krahë. Pas ardhjes te Trabzonspor, kishte sërish disa luhatje në performanca derisa sulmuesi shpërtheu me tre gola, dy nga të cilat ishin të një niveli tjetër.
Një detaj shumë i rrallë ishte fakti që komentatori i stadiumit nuk e përmendi emrin e Ernest Muçit pas golit. Pra gjithmonë jemi mësuar që pasi një lojtar shënon gol, komentatori thërret emrin e tij dhe e bën këtë njëzëri edhe me tifozët në stadium. Por në golin e Muçit kundër Konyaspor kjo nuk ndodhi.
Arsyeja? Tifozët e Trabzonspor shkruajnë se komentatori i stadiumit ishte shokuar nga ai gol dhe ngeli pa fjalë, duke harruar faktin se duhej të thërriste emrin e shqiptarit për shkak të golit. Por në fakt arsyeja ishte paksa më ndryshe. Në momentin kur u mor goditja e dënimit, mikrofoni dhe audio në stadium kishin një problem të vogël. E teksa problemi po rregullohej me shpejtësi, Muçi ishte akoma edhe më i shpejtë duke shënuar nga goditja e dënimit. Kur problemi u rregullua tërësisht, Ernest Muçi kishte përfunduar punë me golin dhe ishte shumë vonë për të thirrur emrin e shqiptarit.
Ndërkohë një detaji akoma edhe më i bukur ishte ai i shkrimit të ardhur nga media turke “61saat”. Pak fjalë, por që janë shumë për kuptuar përfundimin dhe mbi të gjitha për të bërë një vlerësim poetik. “E njëjta fjalë po përdoret nga fëmijët që gjuajnë me top rrugëve të Turqisë tani. “Muçiiiiiii”. Pasi golat e tij janë bërë viral në rrjetet sociale, fëmijët në Turqi dëshirojnë që të bëhen si lojtari i Shqipërisë. /Sport Ekspres/