Real Madridi tregon se është klas tjetër! Arabia Saudite do të thyente rekordin botëror me Vinicius Junior, por madrilenët nuk blihen as me shumë para

Pasi fitoi tre trofe sezonin e kaluar dhe fitoi Champions League, këtë verë Real Madridi vazhdoi me përforcime. Sigurisht, emri më i madh që ka mbërritur në radhët e Mbretërve është Kylian Mbappe, i cili u transferua si lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me PSG-në. 18-vjeçari brazilian Endrick, i ardhur nga Palmeiras për gati 50 milionë euro, iu bashkua skuadrës së Carlo Ancelottit. Por ka dhe disa mangësi nga sezoni i shkuar si Toni Kroos që vari këpucët në gozhdë dhe Nacho Fernandez që u nis në Lindjen e Mesme.

Dje u raportua se Vinicius Junior mund të shkonte në Arabinë Saudite. Këta të fundit ishin të gatshëm të thyenin një rekord botëror dhe historik për futbollin sa i përket parave të ofruara për brazilianin, pasi e dëshirojnë si imazh të tyre për Kupën e Botës që do të zhvillohet pas disa vitesh në Arabinë Saudite. Nëse të gjitha klubet e tjera do të përfitonin nga kjo mundësi për të mbushur arkat e tyre, Real Madrid i ka mbyllur derën një oferte për Vinicius Junior. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/