Vedat Muriqi ka dhënë një intervistë të gjatë me gazetarin Arlind Sadiku për “Klan Kosova”. Sulmuesi shqiptar ka treguar një detaj mjaft interesant nga karriera e tij. Ai ka zbuluar se në çastin kur po nisej për të udhëtuar drejt Italisë për të kryer transferimin e tij te Lacio, PSG-ja i ka kërkuar menaxherit të ndryshonin destinacionin për në Paris. Megjithatë, Muriqi është shprehur se i kishte dhënë fjalën Igli Tares dhe e respektoi këtë fakt deri në fund, pavarësisht se kishte mundësinë të luante përkrahë Nejmarit dhe Mbapesë.
“Një sulmues, kur nis të shënojë shumë gola, çdo ekip ka për të pasur interes. Unë kur pranova ofertën e Lacios, para se të hipja në Aeroplan, PSG-ja i ka dërguar letër klubit. Kanë thirrur menaxherin dhe i kanë thënë: ‘Mos hipni në aeroplan, sepse jemi të interesuar. Kemi për të paguar çfarë kërkon Fernerbahçja dhe kemi për të paguar çfarë kërkoni ju. Hajdeni te ne’. Bëhet fjalë për PSG-në. Pata shënuar 17 gola dhe kisha dhënë 8 asiste. Por i kisha dhënë fjalën Iglit dhe një shqiptar e mban fjalën. I thashë Iglit që kështu është puna, por rri i qetë sepse ne po vijmë atje”, ka treguar Vedat Muriqi./Sport Ekspres/