Presidenti Armand Duka ishte i ftuar në emisionin “Sport News” në News 24, me moderatoren Trevisa Tufa. Kreu i FSHF-së bëri një përmbledhje të këtij edicioni futbollistik, nga kombëtarja, te kampionati shqiptar, organizimi i kampionatit të Europianit U-17. Presidenti Duka komentoi edhe ndryshimet në ligjin e sportit të miratuara së fundmi pa asnjë konsultë me grupet e interesit sportive. Ai foli edhe për ëndrrën “Botëror 2026” si edhe skemën “Final 4”.
– President, dukesh i qetë, në formë, ishte ky një vit pozitiv? A fitoi shumë të ardhura FSHF?
– Unë mendoj se kjo është diçka pozitive, çdo vit rritet niveli i të ardhurave, rritet niveli i futbollit dhe rrjedhimisht ka edhe më shumë biznes.
– Sfida më e madhe, të paktën për organizimin mendoj se ishte ndeshja me Serbinë. A patët frikë për një moment se mund të ndodhë diçka? Ose çfarë do veçoje?
– Nëse do ta vlerësoja nga 1-10, do i jepja notën 7, të suksesshme në përgjithësi, nga pikëpamja organizative. Impenjimi ka qenë maksimal. Impenjimi ka qenë maksimal nga Policia e Shtetit dhe të gjitha institucionet shqiptare për ta pasur sa më mirë. Thashë, 70% është realizuar mirë.
– Besoj se edhe këtu keni fituar shumë si Federatë. Të ardhura financiare, por dhe një imazh i mirë në UEFA dhe FIFA. Megjithatë duket sikur po humbasim tifozët President. Si do ta zgjidhni këtë pjesë, shortin me biletat apo edhe çmimet e biletave…
– Padyshim që do ketë njerëz të kënaqur dhe të pakënaqur. Rëndësi ka që të gjithë të kenë shanse të barabarta për të qenë në stadium. Çmimet janë çështje tregu, nëse tregu i pranon, kërkesa është e madhe. Ne jemi organizatë sportive. Për të qenë burrë i mirë, mund “t’i bëjmë biletat pa lek”, por ky ekipi jonë nuk jeton dot pa lekë. Ekipi nuk ka të ardhura dhe nuk kontribon askush, as qeveria shqiptare. Ne marrim zero lek nga të gjithë. Të vetmet burime që tentojmë të bëjmë diçka dhe kemi bërë rezultate pozitive, ku kemi marrë pjesë edhe dy herë në Europian, është që të kemi të ardhurat nga biletat, të drejtat televizive dhe nga sponsorat, të cilët i kemi 100-fishuar. Për të qenë populist, do doja që të ishin me zero lek. Sot nuk dimë një mënyrë më të mirë sesa kjo, për të bërë shpërndarjen në mënyrë të paanshme. E di që kjo disa i lëndon, e di që ka grupe që kanë mbështetur kombëtaren gjithmonë, që duan të kenë privilegje dhe të drejtën prioritare për të qenë në stadium, por tashmë kjo do të vazhdojë kështu.
– Një tjetër event i rëndësishëm dhe historik, ishte EURO 2025 për U-17. Cili ishte urimi më pikant? Çfarë ju thanë shokët nga UEFA, të premtuan ndonjë organizim tjetër?
– Ishte lajm i mirë, kishim një lloj emocioni apo pasigurie, nëse ne ne vërtetë dimë ta organizojmë. Rezultoi një kampionat i organizuar shumë mirë. Ajo që më kënaq më shumë janë faleminderimet e ekipeve pjesëmarrëse në Europian. Pjesëmarrja ishte e kënaqshme. Numri mesatar i tifozëve ishte 4700 spektatorë, një shifër jo rekord, por vendi i dytë pas Gjermanisë në 2018. Ishte vërtetë një organizim i mirë, një test për një organizim tjetër. Tani jemi në një botë tjetër dhe formati i organizimit për U-21 është tjetër në 2027.
– Me çfarë note do e vlerësonit këtë sezon të kampionatit shqiptar? A jeni i kënaqur?
– Për mua kampionati shqiptar është i organizuar në mënyrë perfekte. Si pak kampionate në rajon, transmetohet 100% live në televizior. Një kampionat që arbitrohet 100% me sistem VAR. Ka patur numër të shtuar spektatorësh. Ka një garë mes klubeve, baraspeshë mes klubeve shumë më të mirë dhe të paparashikueshëm. Do ta vlerësoja vërtetë si një kampionat pozitiv. Ka krijuar dhe të ardhuara më shumë. Ka hapa pozitivë. Nga pikëpamja sportive, çdo vit është edhe më i mirë, dhe besoj se dhhe në kompeticionet europiane do ketë hapa pozitivë. Niveli i konkurrencës me sportet e tjera është i mirë sepse nuk kemi një sport tjetër konkurrent. Ne konkurrojmë me televizionet. Sepse në Shqipëri shihen të gjitha kampionatet e tjera europiane, Italia, Gjermania, Anglia. Dhe ndeshjet luhen në të njëjtat ditë, por do të mundohemi të bëjmë një kalendar të tillë që mos të kemi përplasje me ndeshje të forta europiane. Të promovojmë dhe organizojmë më mirë. Dhe jam i sigurt që në kampionatin e ardhshëm do të kemi 20% më shumë tifozë në stadium.
– President, më duket sikur keni humbur ndeshjen më të rëndësishme, atë me KOKSH, u miratuan ndryshimet që propozoi Fidel Ylli. Pra, parlamenti votoi KOKSH-in, jo ju. A ju shqetëson ky fakt?
– Më shqetëson fakti sesi përgatitet një ligji, fakti sesi më pas miratohet dhe në fund të fundit u bë ligj. Pa asnjë konsultë me asnjë grup interesi sportiv, pa përfaqësuar asnjë interes të një organizate sportive, por thjesht të një individi. Nuk e di çfarë urgjence kishte që në këto ditë të nxehta, kush e kishte kërkuar këtë emergjencë përveç pretendentit për president të KOKSH, që të miratohet tani, në këto ditë vere. Një nga argumentat që i kam dhënë Ministres së Arsimit ka qenë që, Shqipëria, ne pretendojmë dhe urojmë që do të shkojmë në Europë. Dhe për të shkuar në Europë duhet të përafrojmë legjislacionin me legjislacionin në Europë. Pse duhet të bëjmë një urgjencë për të bërë një ndryshim ligjor, është ndryshuar shumë herë, sa herë i ndryshojnë interesat njerëzve që kanë influencë politike. Do jemi rrugës për në Europë, ta konsultojnë ligjin me partnerët europianë ku do të shkojmë, me UEFA dhe FIFA, me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, le të bëjmë një ligj që i shërben sportit. Nuk na kanë dëgjuar, por kjo nuk do të thotë që do të qëndrojmë duarkryq. Do të bëjmë përpjekjet tona juridike, publike për ta ndryshuar dhe për të bërë gjëra që i shërbejnë sportit.
– Mendoni se ka diçka që fshihet në këtë nxitim…
– Nuk na shqetëson interesi i institucionit tonë. Ligji parashikon që t’i japë të drejtë Komitetit Olimpik të drejtën e organizimit të aktiviteteve. Një gjë që ky ligj tashmë ndryshon sjelljen e mëparshme. Me ligj, federatë quhesh kur shteti të jep të drejtë për të organizuar një aktivitet. Shteti ka të drejtë që të ta heqë këtë të drejtë. Tani ka krijuar një organizatë paralele, ku Komiteti Olimpik ka të drejtën të organizojë. Po të dojë Komiteti Olimpik nesër organizon kampion mundje, çiklizmi, futbolli dhe çfarëdo. Ligji ka edhe krijimin e gjykatës së arbitrazhit sportiv, ku palët në konflikt do jenë sportistë, klube, Federata dhe vetë Komiteti Olimpik. Këta të fundit do caktojnë arbitrat, me pretendimin e ministrave që Fideli nuk i vendos të këqinj arbitrat. Le të shpresojmë.
– A ka diçka personale mes jush dhe z.Fidel Yllit? Se me duket sikur ju bashkon vetëm ligji për bastet online?
– Nuk ka asgjë personale, përveç koncepteve të ndryshme për organizimin e KOKSH. Për ligjin e basteve e kemi dhënë qëndrimin tonë, që mund të ketë përkuar me qëndrimin e të tjerëve. Edhe sot që flasim dhe para se të propozonim që kjo të ligjërohej, bastet kanë ekzistuar dhe ekzistojnë. Ne kemi thënë që përderisa ky aktivitet zhvillohet në të zezë, le ta kthejmë në të bardhë dhe le të ketë një benefit futbolli. Nuk ka ndonjë koordinim me askënd tjetër. Bastet janë aktive. Sporti nuk po merr lekë. Që mos të luhej fare, unë do të isha i lumtur sepse bastet janë drama sociale për shumë njerëz e familje.
– Keni qenë shumë pranë kryeministrit Rama këtë periudhë, ishit së bashku në Mynih, në finalen e Champions League. Nuk e diskutuat me Ramën këtë pjesë, për ligjin e sportit? A e gëzon sot që flasim FSHF mbështetjen e qeverisë?
– Nuk kam diskutuar me kryeministrin për ligjin. Kemi shijuar ndeshjen. Edhe gjatë kësaj periudhe, nuk e di nëse do jetë i informuar apo jo dhe nëse e kupton sesa dëm i bën sportit. Nuk besoj se qëndrimi jonë parimor sipas nesh për të mirën e sportit, cënon marrëdhëniet e Federarës me qeverinë. Ne na intereson partneriteti dhe e kemi pasur atë në organizime, investime dhe do vazhdojmë ta kemi.
– Ironi e fatit apo jo, por nuk i votoi këto ndryshime Erjon Braçe, një nga zërat e fuqishëm kundër jush…
– Nuk e di arsyen dhe nuk e di nëse ka votuar. Nëse ka kuptuar ndonjë gjë, ky është zhvillim pozitiv.
– Në fakt pati disa fërkime me Ministrinë e Arsimit, edhe përpara se këto ndryshime të votoheshin, gjatë Asamblesë. Ju i kërkuat të mbani premtimet. A rrezikon që këto përplasje, nëse do e quajmë kështu, në mos realizimin e Euro2027 për U-21, apo edhe ndonjë aktivitet tjetër?
– Asgjë personale, asgjë individuale. Ministria e Arsimt na kishte premtuar 20% të atij buxheti, nga rreth 4 milionë euro të shpenzuara për përimirësimin e infrastrukturës sportive, Ministria kishte premtuar që do na mbështeste me 1.1 milionë euro, të cilin akoma nuk e ka realizuar. Na pret një kampionat tjetër që është akoma më i vështirë. Nëse kemi kohë deri në shtator që kemi takimin e parë organizator, ne do i themi që do kemi mundësi apo jo që ta organizojmë.
– President tani ndodhemi tek një pjesë shumë e rëndësishme e Federatës. Jemi tek muzeu, ku ka shumë trofe. Por, çfarë i mungon këtij muzeu? Cila është dëshira juaj si drejtues të shtoni këtu? Çfarë arritje?
– Ka shumë gjëra që mendoj që duhet të arrijmë apo që duhet të përmirësohemi. Për të pasur më shumë njerëzish që luajnë futboll, duhet të punojmë shumë më shumë me trajnimin, me përgatitjen e të gjithë specialistëve që përgatisin futbollistë. Duhet të promovojmë më mirë dhe duhet të përmirësojmë infrastrukturën. Unë nuk ëndërroj thjesht një kampionat botëror, por e shikoj si një motiv për futbollistët dhe për të parë sa më shumë fusha të gjelbërta me fëmijë.
– Më shuani një kuriozitet, mes dy Evropiane që shkuam, cilin do zgjidhje? Kush ishte më i bukuri për ju?
– 2016-ta është historik sepse për herë të parë marrim pjesë. Ishte shumë i bukur, fatkeqësisht vetëm 3 ndeshje. Akoma më i bukur Gjermania 2024, në të gjitha këndvështrimet, qoftë sportivisht, qoftë mbështetja e publikut. Vërtetë është një kampionat, një turne që më ka pëlqyer. Ekipi jonë m’u duk i barabartë me të tjerat, pavarësisht se morëm më pak pikë se në 2016. Përballë kishim disa skuadra shumë të mira.
– Këtu kanë ardhur Infantino, Ceferin dhe të tjerë presidentë të federatave europiane. Cili është plani juaj?
Plani im është që të ndihmoj sa më shumë Federatën. Nëse do ta bëj këtë, jam shumë i lumtur. Nuk aspiroj për diçka më shumë.
– Ishit në SHBA së fundmi për Botërorin e Klubeve, po në 2026 do të shkojmë në Amerikë, a besoni më?
– Nuk e kam konsideruar asnjëherë si një objektiv i lehtë. Nuk është e lehtë, por asnjëherë e pamundur. Në kushtet ku jemi, gjërat janë vështirësuar, por nuk janë mbyllur. Kemi 4 takime që duhet t’i konsderojmë finale. Me një rezultat pozitiv në Serbi, na rihapet mundësia për një Play-Off. Mbetet një objektiv i vështirë, jo vetëm për tani, por edhe për të ardhmen. Por ne duhet ta synojmë. Ekipi ynë meriton ta synojë sepse kemi ekip me prespektivë.
– I besuat sërish Sylvinho-s. Çfarë ju bindi?
– Sylvinho është njeri i përkushtuar, një njeri që ka kontribuar. Ideale nuk ka, ideale është vetëm zoti.
– Pyetja e fundit, në lidhje me të ardhmen. Pse vendoset të vijoni me FINAL4? Pse i besoni shifrave të FIFA-s, nuk keni në plan për të ndryshuar?
– Në hapat e para të tij, Final Four ka prodhuar mirë, ka patur më shumë interes, ka prodhuar më shumë emocion dhe të ardhura. Nëse duhet të mbetet i tillë dhe ne jemi në këtë lloj diskutimi me anëtarët në garë, me klubet e futbollit dhe me ekspertët, nëse duhet të jetë i njëjtë, duke rrëzuar pikët e 4 ekipeve të para, apo duke ruajtur pikët e mbledhura gjatë kampionatit, apo përgjysmuar, këtë do ta vendosim brenda një afati 10-ditor bashkë me ekipet pjesëmarrëse.
– Ku i bën pushimet presidenti i FSHF-s, brenda apo jashtë Shqipërisë?
– I bëj në përgjithësi në Shqipëri, në det.
– Në plazhe unë shoh gjyshër që mbajnë nipërit dhe prindërit bëjnë plazh. Po ju z.Duka bëni pjesë te kjo kategori?
– Kam shumë dëshirë që t’i kem me vete, këtë vit nuk e kam fatin, se mami i vet nuk na le.
– Me kaq shumë angazhime, keni kohë për familje? Si arrin të gjenin balancat, duket sikur jetoni mes Londrës dhe Shqipërisë?
– Mendoj se e menaxhoj mjaftueshëm mirë, për të qenë 60% familjar i mirë.
– Ku e shihni veten në të ardhmen?
– Pasi të mbaroj detyrën e Federatës, uroj që të kem pastaj, jo pushim, sepse vetë jeta ime nuk më lejon që të kem kohë të lirë, merrem me biznes.
– Në Shqipëri njerëzit meren me thashetheme. Psh cili ka qenë thashethemi më absurd për ju?
– Dëgjoj sa të duash, rreth meje, në lidhje me biznesin, futbollin.
– Kur i lexoni komentet online që thonë “Duka s’ka për të ikur kurrë”, a qeshni apo mërziteni?
– Në fakt, marrëdhënien me veten time e shikoj në dy botë. Njerëz në rrjete sociale që çfarë nuk thonë, njerëz që takoj në rrugë dhe ambiente sportive që kanë vlerësim pozitiv. Nuk e di se kush është e vërteta.
– A është më e vështirë të menaxhosh një ndeshje të rëndësishme të Shqipërisë apo një darkë me drejtues politikë në të njëjtën tavolinë?
– Ajo që është shumë e vështirë është që të menaxhosh emocionet e nivelit të lartë.
– Sa e vështirë është të thuash “jo” në pozicionin që keni? Dhe a e përdorni shpesh atë fjalë në takime zyrtare?
– Detyrimisht e them.
– Nëse një ditë do të linit punën dhe do kishit kohë të lirë, çfarë do bënit të parën? Apo do zhdukeshit?
– Në asnjë kohë nuk do zhdukem për sa kohë të kem mundësi të jem aktiv. E thashë, nëse nuk do jem aktiv në futboll, do jem në biznes. Pse jo dhe në ndonjë fushë tjetër.