“Shembulli që sakrifikon gjithçka për fanellën dhe shokët”, Dinamo zyrtarizon largimin e Zabërgjës: Dera do të jetë gjithnjë e hapur për ty

Ndeshja e mbrëmshme kundër Hajdukut të Splitit ishte e fundit për Zabërgjën me fanellën e Dinamos. Klubi dinamovit ka zyrtarizuar përmes faqes zyrtare në “Facebook” se lojtari do të vazhdojë karrierën e tij në Ukrainë. Dinamoja ka falenderuar Zabërgjën për gjithë kontributin e dhënë me fanellën blu.

“Faleminderit Baton Zabërgja! Ndeshja kundër Hajdukut në “Air Albania” ishte e fundit për Baton Zabërgjën me fanellën e Dinamo City, para transferimit në Ukrainë. Dhe “Zabi” luajti siç di vetë, duke vënë “firmën” e tij në suksesin e madh të Dinamos.

Klubi blu dhe veçanërisht presidenti Adrian Bardhi e falënderojnë lojtarin për përkushtimin e jashtëzakonshëm profesional. Shembulli më i mirë i futbollistit që sakrifikon gjithçka për fanellën dhe shokët e ekipit. I dha shumë Dinamos dhe mori po aq shumë prej saj.
Suksese me skuadrën e re në Ukrainë! Do të mbetesh gjithmonë një dinamovit, dera për ty do të jetë gjithmonë e hapur. Faleminderit Baton Zabërgja! Faleminderit kampion”, ka njoftuar klubi Dinamo./Sport Ekspres/