Debati i madh po vazhdon në Serbi pas humbjes në shifrat 0-1 nga Shqipëria. Me këtë humbje, Serbia duket totalisht jashtë loje për kualifikimin në Botëror pasi duhet me patjetër një fitore kundër Anglisë për të shpresuar te mrekullia.
Por ky mision është i pamundur me një Angli që jo vetëm nuk ka lëshuar pikë në grup, por ka edhe golavarazhin e frikshëm, 18-0. Pra 18 gola të shënuara dhe 0 i pësuar, duke e bërë të pamundur ëndrrën e Serbisë.
Ndërkohë në një media të Serbisë është folur për gjuhën e trupit të Stojkovic në momentin e golit. Pas një debati dhe përplasje mendimesh, u ngrit hipoteza se trajneri i Serbisë e ndieu golin e Manajt, por lojtarët nuk iu bindën në atë rast.
Rasti i golit ishte një skemë e punuar nga Shqipëria teksa Kristjan Asllani do të kërkonte shtyllën e dytë me Gjimshitin që shkoi në atë cep për të fituar duelin dhe kapiteni ia doli më së miri. Ndërkohë në momentin që Gjimshiti do të fitonte duelin, dy lojtarët e tjerë, Ajeti dhe Manaj, u tërhoqën duke pasur një panoramë shumë të mirë të goditjes në portë. Pavarësisht se Ajeti doli huq, Manaj nuk mund të dilte duke tundur rrjetën.
Ndërkohë në mediat serbe kanë theksuar faktin se në momentin kur Asllani nisi krosimin drejt portës, Stojkovic e kuptoi më së miri idenë duke ngritur duart lart në alarm dhe duke i kërkuar lojtarëve të tij që të markonin shtyllën e dytë dhe të mos i linin lojtarët tanë bosh.
Por futbollistët e Serbisë dukeshin shumë të fjetur dhe nuk reaguan dot në kohë nga këshilla e Stojkovic pasi qëndruan statik dhe kërkuan pushimin e pjesës së parë më shpejtë sesa duhet. Një tjetër sinjal mjaft i qartë se me gjendjen politike dhe konfliktet e shumta me trajnerin Stojkovic, Serbia ndodhet në një moment aspak të mirë dhe Shqipëria me në krye Silvinjon diti që ta shfrytëzonte në përsosmëri duke pritur momentin ideal për të goditur, sic edhe ndodhi. /Sport Ekspres/