Dinamo ka zhvilluar pasditen e sotme një ndeshje miqësore ndaj Otrant Olympic, skuadrës shqiptare nga Ulqini që kryeson kampionatin në Malin e Zi. Një miqësore vëllazërore, e cila dhuroi një lojë të bukur dhe gola, me Blutë e trajnerit Ilir Daja që konfirmuan formën e mirë që po kalojnë në këtë fillim sezoni. Trajneri Daja e nisi ndeshjen me këtë formacion: Kiri; Ismaili, Sembene, Alhassan, Lorran, Vila, Meta, Ajzeraj, Ruçi, Farruku, Mustapha.
Dinamo mori menjëherë kontrollin e lojës, duke qarkulluar topin dhe duke kërkuar vazhdimisht portën kundërshtare. Epërsia erdhi në minutën e 12-të, kur Farruku finalizoi saktë një pasim fantastik të Ajzerajt.Otrant Olympic reagoi shpejt dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 16-të, por vetëm gjashtë minuta më vonë Blutë kaluan përsëri në avantazh. Këtë herë ishte Ruçi që goditi bukur fluturimthi pas pasimit të marrë nga Skënder Meta, duke realizuar golin e dytë për Dinamon.Në fundin e pjesës së parë erdhi edhe goli i tretë. Farruku u shfaq sërish protagonist, duke finalizuar pas një asisti perfekt të Ismailit dhe duke dërguar skuadrën në pushim me avantazhin 3-1.
Pjesa e dytë nisi me tri zëvendësime për Blutë. Sali, Xhejms dhe Manellari morën vendet e Kirit, Ismailit dhe Vilës.Edhe pas pushimit, Dinamo vazhdoi të kontrollonte lojën dhe të krijonte raste për shënim. Në minutën e 65-të, trajneri Daja kreu të tjera ndryshime, duke larguar nga fusha Metën, Sembenen dhe Mustaphën, ndërsa në lojë u aktivizuan Jonathan, Gudiabi dhe Nani.Në minutën e 73-të erdhën të tjera zëvendësime. Lorran, Ruçi dhe Ajzeraj lanë fushën, ndërsa në vendet e tyre u aktivizuan Rama, Bleta dhe Lushaku.Vetëm dy minuta më vonë, Farruku kompletoi tripletën personale, duke shënuar golin e tij të tretë të ndeshjes dhe të katërtin për Dinamon.Në minutën e 77-të, trajneri Daja bëri edhe dy ndryshime të tjera. Biden, i cili aktivizohet me ekipin B të Dinamos, mori vendin e Farrukut, ndërsa Kruja u hodh në fushë në vend të Alhassan. Në minutat e mbetura rezultati nuk ndryshoi dhe takimi u mbyll me fitoren 4-1 të Dinamos.