“Shqipëria do të bëhet Kroacia e re, shkoni atje”! Julian Shehu bëhet shkak, gazetari në Poloni: Aty janë çmimet e ulëta, gjeni super lojtarë

Julian Shehu po bëhet shkak me super performancat e tij te Widzew Lodz që Shqipëria të marrë një emër më të madh në arenën ndërkombëtare. Veçanërisht në Poloni, atje ku Shehu po dallohet me ndeshjet e nivelit të lartë të zhvilluara në këtë sezon. Një tjetër gol është shënuar në ditën e djeshme kundër Wisla nga ana e Shehut dhe gazetari polak, Mateusz Swicecki, nuk ka ngurruar që të thotë këto fjalë për mesfushorin shqiptar.

“Juljan Shehu është lideri i madh i Widzew. Nuk po flas vetëm për golat dhe për asistet e bukura, këtu është një lojtar që ka fituar duelet më të mëdha që nga fillimi i sezonit, i ka fituar shumicën e tyre. Ai është zbulimi i fillimit të këtij sezoni. Shehu duket sikur ka vendosur flamurin në mesfushë dhe thotë: “Kujdes, këtu është territori im, të mos futet askush”. Ka qenë pjesë e Lacit dikur, e Lacit në Shqipëri. Unë mendoj se Shqipëria do të bëhet si Kroacia më vonë, një vend ku mund të gjesh shumë futbollistë të mirë dhe me një çmim shumë të lirë. Shkoni në Shqipëri për pushime, mos zgjidhni vend tjetër”, tha gazetari polak. /Sport Ekspres/