Kampionati Europian U17 ka ulur siparin mbrëmjen e sotme në “Arenën Kombëtare”. Armand Duka i ka dorëzuat trofeun kapitenit të Portugalisë trofeun pas fitores në finale kundër Francës. Presidenti i FSHF-së ka reaguar në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”, ku falenderon të gjithë ata që ndihmuan në organizimin e këtij turneu në Shqipëri.
“Një Europian që na bëri krenarë! Europianit të parë në Shqipëri i erdhi fundi dhe në shtëpinë tonë, në Arenën Kombëtare, ishte Portugalia që ngriti në qiell trofeun dhe festoi titullin kampion Europe U17 për të shtatën herë.
Urime Portugalisë fituese, në një kompeticion ku fituam shumë edhe NE, si Federatë duke shtuar në portofolin tonë të organizimeve një tjetër event ndërkombëtar, si shqiptarë që shijuam një Europian fantastik me ndeshje mjaft të bukura, si ekip që fitoi eksperiencë me të parën pjesëmarrjeje në një nivel të tillë.
Faleminderit të gjitha ekipeve pjesëmarrëse – Potugalisë kampione, Kombëtares sonë, Francës, Italisë, Belgjikës, Gjermanisë, Anglisë, Çekisë – për atë që dhanë në fushë.
Faleminderit të gjithë atyre që ishin pjesë e organizimit të këtij Europiani në prapaskenë, punonjësit e Federatës së Futbollit, bashkëpunëtorët tanë në Elbasan, Durrës e Rrogozhinë, Bashkitë e këtyre qyteteve, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe çdo institucion shtetëror që ishte bashkë me ne për ta bërë këtë Europian të paharrueshëm.
Faleminderit të gjithë tifozëve, që iu përgjigjen ftesës tonë për të qenë pjesë e një eventi që ofroi emocione e gola të bukur, nga ndeshja e parë tek e fundit. Portugalia e nisi me fitore në “Arenën Kombëtare” dhe e mbylli në të njëjtën mënyrë, duke merituar gjithçka! Urime”, ka shkruajtur Armand Duka./Sport Ekspres/