Nuk është sekret se merkatoja e futbollit shpesh fsheh prapaskena, por rasti i Fisnik Asllanit ka marrë një kthesë plot mister. Kalimi i tij prej 25 milionë eurosh te RB Leipzig u mbyll papritur në sekondën e fundit, pasi klubi i Leipzig ngriti alarmin për “probleme mjekësore” gjatë vizitave. Megjithatë, sulmuesi i Kombëtares së Kosovës është kthyer menjëherë në stërvitje me Hoffenheim dhe klubi insiston se ai gëzon një formë perfekte fizike, duke hedhur poshtë çdo pretendim.
Ky zhvillim ka ngritur dyshime të mëdha: A ka pasur realisht probleme fizike, apo bëhet fjalë për një strategji, lëvizje taktike apo ftohje të marrëveshjes në tavolinë mes klubeve? Drejtuesit e Hoffenheim i quajtën shqetësimet e Leipzig-ut të ekzagjeruara, duke kujtuar se Asllani luajti në 35 nga 36 ndeshjet e sezonit të kaluar. Fakti që lojtarit iu hap drita jeshile për t’u rikthyer menjëherë nën urdhërat e trajnerit pa asnjë pengesë fizike lë të kuptohet se prapaskenat e këtij dështimi mund të kenë më shumë lidhje me kalkulimet e tregut sesa me dëmtimet e vërteta. /Sport Ekspres/