Silvinjo apo De Biazi? Ka punuar me të dy, Sadiku zgjedh brazilianin: Është profesionist dhe më modern

Armando Sadiku ishte i ftuar në studion e emisionit “Kampionët”, që transmetohet në “TV Klan”. Sulmuesi shqiptar është vënë përballë zgjedhjes mes Silvinjos dhe De Biazit. Megjithëse ka shkëlqyer nën drejtimin e italianit, Sadiku zgjodhi trajnerin brazilian. Ai ka vlerësuar së tepërmi rolin e De Biazit në karrierën e tij, por ka shtuar se Silvinjo ishte një profesionist i vërtetë. Sadiku ka qenë pjesë e projektit të Silvinjos në momentin e parë që mori drejtimin e Kombëtares dhe nga ajo periudhë vlerëson shumë aftësitë komunikuese të brazilianit.

“Megjithëse unë mbeta jashtë, kam pasur një komunikim shumë të mirë me Silvinjon. Ka qenë një profesionist. Gjatë gjithë kohës fliste me video-call me të gjithë lojtarët. E dua shumë De Biazin dhe kam komunikim shumë të mirë, por në atëherë ishte një kohë e vështirë për ne. Nuk i kishim këto kushte të teknologjisë. Kështu që Silvinjo është më modern, ndërsa De Biazi ishte më i thjeshtë, më popullor”, është shprehur Armando Sadiku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/