Interi i Inzaghit është duke korrur rezultate mbreslënëse këtë sezon. Kjo skuadër është në garë për titullin kampion në Serinë A dhe për trofeun e Champions League. Por ajo që ndodhi dje, ishte një magji futbolli. Interi barazoi 3-3 ndaj Barcelonës në transfertë. Një diferencë e madhe mes dy ekipeve teksa te Barcelona janë lojtarët më të mirë në botë, talente të reja, ndërsa nga krahu tjetër Interi luajti me Acerbin 37-vjeç, Mkhitarian 37-vjeç, Sommer 36-vjeç dhe lojtarë të tjerë që në nivel nuk i afrohen Barcelonës.
U përplasën dy filozofi futbolli, ajo e një “Tiki Taka” ndryshe, më efikase dhe prezente në sulm, që lejon më shumë hapësira mbrapa dhe më pak i mërzitshëm nga versioni i “Tiki Taka” së vjetër dhe Interi, që mbrohej dhe sulmonte i gjitha si skuadër. Por ajo që duhet të tregojmë sot është skema taktike e Inzaghit që do të ishte fantastike të kopjohej edhe nga Silvinjo te Shqipëria.
Në fakt, nëse një ditë Shqipëria përmbush pritshmëritë e tifozëve dhe ëndrrën e tifozëve për të shkuar shumë larg, do të jetë vetëm nëse përsërit Interin e Inzaghit. Por si i befason kundërshtarët me Interin? Inzaghi përdor automatizimin e kundërt të veprimeve, që njihet ndryshe si kaosi i strukturës. Kur Interi luan në ndeshje të mëdha ndaj rivalëve që kanë shumë më tepër cilësi te Interi dhe që në letër i shkatërrojnë italianët, Inzaghi vjen me gjetjen e tij ideale.
Ai përdor mbrojtësit si mesfushor dhe sulmues, duke bërë totalisht konfuz kundërshtarët. Nuk është rastësi që shumë herë golat te Interi vijnë nga pjesa mbrapa dhe jo sulmi, për shkak të kësaj skeme, pasi nuk funksionon skema tradicionale me Interin. Kjo pasi Inzaghi ngatërron shpesh gjatë lojës lojtarët e tij dhe vendosjen që kanë ata, si të përziejë shpesh kartat në tavolinë dhe kundërshtari e ka të pamundur të kuptojë dhe përgatitet se kë kundërshtarë do të ketë para tij që duhet të kalojë.
Për ta kuptuar më qartë, kur topi nis nga portieri, tre mesfushorët e Interit, Barela, Calhanoglu dhe Mkhitarian, kthehen si qendërmbrojtës në zonën e tyre pranë portierit, për ta trajtuar më mirë topin, duke shkuar kështu me 5 mbrojtës. E teksa katër lojtarë kundërshtarë futen për të bërë presion për marrjen e topit, ndodh çudia. Mkihtarian, Calhanoglu dhe Barela qëndrojnë në mbrojtje, ndërsa tre mbrojtësit avancojnë përpara në zonën boshe të krijuar, pra rolin e mesfushës e marrin Acerbi, Biscek dhe Bastoni, ndërsa mbrojtës qëndrojnë Mkihtarian, Calhanoglu dhe Barela. Pra lojtarët që kanë një vizion më të mirë të lojës, kanë më shumë siguri dhe saktësi në qarkullimin e topit.
Dhe në momentin që Interi ka topin në zotërim dhe një aksion është thyer, mbrojtësit nuk kthehen më mbrapa siç ndodh zakonisht, por ata rrijnë në sulm për të vazhduar kaosin te kundërshtarët dhe për të krijuar zonat boshe, duke qëndruar sërish me mesfushorët në mbrojtje. Kjo është e gjitha skema e Inzaghit që ngatërron totalisht skemën me ndryshimin e lëvizjes së lojtarëve, ku Mkhitarian, Calhanoglu dhe Barrela ndërrojnë shpesh vendet me njëri-tjetrin pa e pasur të qartë se ku do të jetë vendi i tyre. /Sport Ekspres/