“Silvinjo është shqiptarizuar edhe në ide”! Artan Hoxha: Nuk më harrohet ndeshja me Kroacinë, nuk po guxon më si më parë kur erdhi

Artan Hoxha ishte i ftuar në emisionin “Max Sport” që transmetohet në “EuroNeës Albania”. Gazetari është ndalur edhe te Silvinjo, teksa shprehet se ky trajner nuk po guxon më si më parë kur erdhi te Shqipëria. Hoxha ka përmendur edhe ndeshjen e famshme me Kroacinë në Europianin e Gjermanisë, pengu më i madh i shqiptarëve.

“Silvinjo është një trajner i ri dhe ndoshta po i kërkojmë më shumë. Mua nuk më harrohet ajo ndeshja kundër Kroacisë në Hamburg, ishim në minutën e 60 dhe vazhdonte të mos bënte ndërrime. Ndërkohë Kroacia ishte e gjithë e hapur përpara, ndërsa ne ishim të ngelur aty mbrapa. Nuk është fare Kroacia e dobët, ajo di gjithmonë sesi të godas. Atë guxim që Silvinjo e kishte dikur, tani është shqiptarizuar dhe mendon të mos hajë më shumë gola. Silvinjo është bërë shqiptar në ide, e ka kuptuar atë që duam ne dhe atë po bën. Kur erdhi në fillim, Silvinjo guxoi”, tha Hoxha. /Sport Ekspres/