Ndeshja Barcelona-Inter ka dëshmuar përse Liga e Kampionëve është turneu më i bukur në Europë. Skuadrat kanë ofruar spektakël dhe emocione deri në sekondat e fundit të lojës, kur Barça “flirtoi” disa herë me golin.
Magjia e futbollit u shfaq që në sekondat e para të lojës. Vetëm 30 sekonda lojë dhe Turami tundi rrjetën me një goditje me finte. Më pas ishte Dumfrisi ai që në minutën e 21-të e dërgoi përsëri topin pas shpinës së Sheznit. Por befasisë së Interit iu kundërpërgjigj Lamin Jamali me një gol spektakolar në minutën e 24-t të takimit. Ndërkohë në të 38-n Ferran Torresi ktheu sërish baraspeshën në këtë përballje.
Dumfrisi befasoi sërish katalanasit në pjesën e dytë të lojës, kur në minutën e 63-të e dërgoi topin me kokë në portën e Barcelonës. Por vetëm 2 minuta më vonë perla e Rafinjës nga distanca i dërgoi shifrat në 3-3. Barcelona kërkoi sërsh të gjente rrugën e rrjetës, por përpjekjet e Jamalit dhe Rafinjës nuk përfunduan në rrjetë. Ndeshja përfundoi në baraspeshë 3-3 dhe kualifikimi do të vendoset në “San Siro” në mesjavën e ardhshme./Sport Ekspres/